Gjykata s’lejoi policinë të kontrollonte, RENEA hyn pas 2 muajsh në Shijak por nuk gjen asgjë për Ervis Martinaj
Kontrolli i tri banesave në Shijak në kuadër të hetimeve për denoncimin e familjarëve për zhdukjen e Ervis Martinajt është kthyer në konflikt mes Gjykatës dhe Prokurorisë. Togat e zeza të shkallës së parë në Kurbin refuzuan fillimisht kërkesën, por Prokuroria e dërgoi çështjen në Apel ku ka marrë aprovimin për bastisjet. Aksioni i zhvilluar pak ditë më parë nga RENEA në Shijak nuk gjeti asnjë provë.
Dy muaj nga denoncimi i familjarëve për humbjen e kontakteve me të kërkuarin Ervis Martinaj, i njohur edhe si biznesmen i lojërave të fatit, RENEA ka hyrë në zonën e Shijakut, duke kontrolluar tri banesa.
Dy nga shtëpitë e kontrolluara i përkasin anëtarëve të një fisi në Shijak, ndërsa banesa e tretë i përket një personazhi tjetër të botës së krimit në vend.
Kontrolli është realizuar nga Forcat Operacionale dhe RENEA, por nuk ka arritur asnjë rezultat pozitiv.
Në tri banesat policia nuk gjeti asnjë send të paligjshëm, e mbi të gjitha nuk konstatoi asnjë gjurmë që mund të zbardhte sado pak se çfarë ka ndodhur me të kërkuarin Ervis Martinaj.
Ora News ka mësuar se kontrolli i urdhëruar nga Prokuroria e Laçit, ishte planifikuar të kryhej gati 1 muaj më parë.
Por shkak për vonesën është bërë Gjykata e Laçit, e cila nuk pranoi të miratojë kërkesën e Prokurorisë për të ushtruar kontroll në tri banesat në Shijak.
Nga ana tjetër prokurori i çështjes që po ndjek hetimin, ka apeluar më urgjencë vendimin e Gjykatës, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Apelit.
Kjo e fundit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, çka solli javën e kaluar kryerjen e kontrolleve në Shijak.
Sipas burimeve kontrolli është bërë dy muaj nga kallëzimi i familjarëve që denoncuan humbjen e kontakteve me Ervis Martinaj.
Zhdukja e tij ka impenjuar dhjetëra oficerë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat janë duke punuar me shpresën e zbulimit të misterit nëse Martinaj është gjallë apo është vrarë.
Për zbardhjen e të vërtetës ka lëshuar një ultimatum dhe kryeministri Edi Rama, i cili u ka kërkuar bluve ti thonë publikut çfarë ka ndodhur.
Martinaj, është parë për herë të fundit në 7 gusht 2022 në ambjentet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas, në 8 gusht 2022, në Tiranë në ambjentet e një biznesi në zonën e “Zogut të Zi”.
Personat e fundit me të cilët ai ka qenë në shoqëri në datën 7 gusht 2022 në Durrës, ishin Jeton Lami, ndihmës specialist tek Operacionalja e Policisë së Shtetit dhe një vajzë nga qyteti i Durrësit.
