Policia vijon kërkimet për Ervis Martinajn në disa qytete, më 8 gusht udhëtoi drejt Shijakut, ndërroi dy automjete

Shijaku është zona e fundit e zbuluar nga Policia në itinerarin e lëvizjeve të Ervis Martinajt, personit të shumëkërkuar nga drejtësia për të cilin familja denoncoi tri javë më parë se kishte humbur kontaktet. Gjatë udhëtimit nga Tirana drejt Shijakut mësohet se personi në kërkim ka ndërruar së paku dy automjete, ndërkohë që po hetohet itinerari i mëtejshëm i tij.

Tri javë pas denoncimit të familjarëve për humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, Prokuroria dhe policia e Shtetit, kanë ngecur në hetimin e çështjes.

Zona e Shijakut është lokacioni përfundimtar, ku është parë i shumëkërkuari.

Sipas burimeve të policisë, Martinaj, mbrëmjën e 8 gushtit, ka dalë rreth orës 18:30 nga ambjentet e këtij pallati, ku lëvizjet e tij janë kapur nga një kamera sigurie.

I kërkuari nga SPAK, shfaqet me syze dielli, tuta të shkurtra dhe me shapka që bën një lëvizje të shkurtër në zonën ku shfaqet një automjet tip “Audi A8”, i njëjti mjet që shfaqet ne 5 gusht në Hotel Adriatik në Durrës.

Sipas pamjeve filmike, Martinaj hipën në sediljen e parë dhe makina largohet në drejtim të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, duke hyrë në rrugën e Laprakës.

Burimet bëjnë me dije se Martinaj në këtë pallat kishte marrë me qira një apartament.

Pasi ka dalë nga aty ai ka udhëtuar në drejtim të Kasharit, ndërsa personi tjetër që e shoqëronte, dyshohet të jetë oficeri i arrestuar Jeton Lami.

Automjeti i tyre është ndaluar në ambjentet e një pike karburanti ku Martinaj dhe shoqëruesi i tij kanë ndëruar makinë, duke lënë “Audin A8” dhe marrë për lëvizje një automjet tjetër.

Duke ndjekur intenerarin e lëvizjes së kësaj makine, ka rezultuar se Martinaj ka hyrë në zonën e Shijakut.

Kjo është edhe gjurma e fundit që policia ka për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj për të cilin mësohet se agjentët po kryejnë verifikime në disa qytete të vendit me dyshimet se mund të ketë ndryshuar vendqëndrimin e tij.

Prej tri javësh, prokuroria e Laçit, vijon të ketë aktiv një procedim penal për denoncimin e bërë nga të afërmit e tij që thonë se kanë humbur kontaktet.

Gjatë këtyre tre javëve kërkimet janë duke u zhvilluar nga policia dhe paralelisht me të kërkime private për gjetjen e Martinaj janë kryer edhe nga njerëz të familjes së tij.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.