Hyri me tanke në Lazarat, Berisha premton ndëshkimin e Ramës: Kreve krime kundër njerëzimit
Kryetari i PD-së Sali Berisha premton se do të ndëshkojë Ramën për operacionin e ndërmarrë në Lazarat të 2014.
Në një deklaratë për median Berisha i quajti “krime kundër njerëzimit”
Sali Berisha:"Unë u ktheva më i impresionuar se kurrë në 30 vite nga një vizitë, nga vizita ime në Lazarat. Çfarë konstatova aty? Në bisedimet e shkurtra, konstatova se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në këtë fshat. Krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë. Bandat kriminale me uniformë nuk kanë ngurruar të vendosin tytën e automatikut fëmijës 2-3 vjeçar, nënës që mbronte fëmijët, kryeplakut të fshatit t’i shkrehin bresëhritë pse bënte detyrën. Një terrorizëm të tillë Lazarati nuk e ka parrë kurrë në jetën e tij. Unë i garantoj banorët se shumë shpejt do organizoj skuadra dhe grupe hetime për të mbledhur dhe evidentuar këto krime."
Më tej Berisha tha se Rama do të ndëshkohet.
"Edi Ramës i them se do marrë ndëshkimin e merituar për këto krime. Ne mbetemi parti e zbatimit të ligjit, por nuk mund të pranojmë kurrë brutalitete ndaj personave pa asnjë lidhje me operacionin e tyre"
Berisha doli sot në një deklaratë për median nga selia e PD-së ku bëri një bilanc të takimeve të tij në jug javën që lamë pas dhe i ftoi banorët e jugut të bashkohen me te.
"Hajdemi të lidhemi në një betim solemn. Të lëmë dallimet partiake. Sot armik i lirisë, ekonomisë dhe qënies së tyre është sekti i rilindjes që i vjedh dhe plaçkit ata çdo ditë" tha Berisha.
