Champions League, Bayern Munchen i papërmbajtshëm përballë çekëve (VIDEO)

Bayerni i Munchen tank i vërtetë në Champions League. Nuk ka surpriza në Gjermani për ndeshjen e tretë të grupit C të kampionëve të Gjermanisë që “shkelën” Viktoria Plzen me rezultatin e thellë 5-0. Dominim absolut i skuadrës së Julian Nagelsmann që ashtu si ndaj Interit dhe Barcelonës, nuk pësoi sërish asnjë gol duke ruajtur të paprekur katërkëndëshin e Manuel Neuer.

Leroy Sanë vijon të tregojë një formë fantastike dhe jo vetëm për dy golat e shënuar por për frymëzimin që i dha sulmit bavarez ku shtuan nga një gol tjetër edhe Sadio Mane, Chupo-Moting dhe Serge Gnabry.

Në “Allianz” ndeshja mori drejtim që në minutën e 13 teksa rezultati shënonte 2-0 ndërsa Upamecano e De Ligt në mbrojtje zhvilluan një stërvitore që u shërben për të mbajtur muskujt e ngrohtë në kuadër të ndeshjeve të tjera të sezonit. Me këtë fitore, Bayerni ngjitet në kuotën 9 pikë pas 3 sfidave të para.