Messi nuk dëshiron rinovimin me PSG por rikthimin te klubi i zemrës

As oferta prej 30 milionë euro e PSG për të rinovuar edhe një sezon nuk e bind Lionel Messin ta vazhdojë karrierën në Ligue 1 edhe përtej sezonit të ardhshëm kur i përfundon kontrata. Barcelona ka mbetur në zemrën e “pleshtit” dhe këtë nuk e ndryshin dot asnjë ofertë, sado joshëse qoftë.

36-vjeçari po përgatit një rikthim te klubi i zemrës verën e ardhshme për t’i dhënë një dorë edhe trajnerit e ish-kolegut Xavi në misionin për rindërtimin e një grupi të fortë e të pamposhtur si në kohët e të dyve nën drejtimin e Pep Guardiola-s.

Ishte pikërisht Xavi që i hodhi “benzinë” zjarrit duke deklaruar: “Le të presim për të mësuar se si do shkojë kjo çështje por nuk është koha për të folur tani për Messin. Ne e duam shumë por nuk duhet të përqëndrohemi te kjo gjë. Duhet të shijojë Parisin tani”.

Ndërkohë, gazetarja argjentinase, Veronica Brunati, mikeshë e ngushtë e Messit ka bërë me dije se familja dhe numri 10 do të rikthehen shumë shpejt në “Camp Nou”. Lionel kaloi 17 sezone te Barcelona ku fitoi gjithçka të mundshme, përfshirë edhe 7 Topa të Artë.