FSHF përgënjestron mediat: Edoardo Reja nuk largohet, të paktën deri në fund të kontratës
Federata Shqiptare e Futbollit rikonfirmon në detyrë, të paktën deri në fund të kontratës, trajnerin Edoardo Reja. Humbja me Izraelin dhe barazimi me Islandën riktheu zërat për një largim të parakohshëm të trajnerit 76-vjeçar nga stoli kuqezi, por presidenti Armand Duka nuk synon të ndryshojë emër në pankinë deri në fund të nëntorit, ndoshta për të kursyer edhe rreth 45 mijë euro, shumë e cila ka mbetur ende për t’u paguar deri në fund të kontratës me teknikun italian. Nëpërmjet një reagimi të pazakontë për mediat, FSHF qartëson:
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë dhe sqarojë të gjithë opinionin publik e mediat se zërat që kanë qarkulluar orët e fundit në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Luigi Di Biaggion për drejtimin e Shqipërisë janë totalisht të pavërteta dhe një spekulim i pabazë.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka në drejtimin e saj trajnerin Edoardo Reja, i cili është ende nën kontratë e vazhdon punën e tij.
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se fokusi ynë është te shorti i Kampionatit Europian 2024, i cili do të hidhet në datë 9 tetor në Frankfurt”.
