Britania nuk ndryshon qëndrim për amnistinë fiskale, Rama i vendosur ta miratojë
Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me projekt-ligjin e amnistisë fiskale të propozuar nga kryeministri Rama nuk ka ndryshuar.
Kështu bën me dije së paku ambasada e Britanisë në vendin tonë, ndërsa kryeministri Rama tha se Edi Rama nuk tërhiqet nga legalizimi i parave në të zezë.
Këtë qëndrim Rama e përforcoi edhe pse BE dhe përfaqësitë diplomatike të tjera në vendin tonë e kanë kritikuar amnistinë fiskale.
Madje kryeministri i ka thirrur të enjten (29 shtator) në zyrën e tij të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë për t’i bindur ata që kjo nisëm qeveritare nuk synon të amnistojë paratë e krimit.
Edi Rama: Amnistia fiskale do të bëhet. Ne nuk jemi askushi që ti privojmë shqiptarët nga e drejta e formalizimit, tua bëjnë ferrë jetën emigrantëve. Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve.
Kujtojmë se Ambasada e Gjermanisë dhe Francës edhe më herët kanë shprehur kundërshtitë e tyre për këtë amnisti.
Madje gjatë një takimi, ambasadorët Zingraf dhe Barsacq janë ngritur dhe janë larguar para fjalës së kryeministrit Rama.

