Priti në presidencë ambasadoren e SHBA-së, Begaj tregon qëllimin e vizitës

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka zhvilluar sot një takim pune me ambasadoren e SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim.

Në një postim në faqen e tij në Facebook ai tregoi se në takim u diskutuan tema të rëndësishme si energjia, siguria, reformat në drejtësi etj.

"Ditën e sotme pata kënaqësinë të pres në një takim pune Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh.S. Znj. Yuri Kim.

Vlerësuam partneritetin strategjik, diskutuam për çështje të rëndësishme dhe fusha jetike të bashkëpunimit dypalësh si: energjia, siguria, reforma në drejtësi, sfidat aktuale globale, etj.

Përsa i përket mandatit të Shqipërisë, në Këshillin e Sigurimit, biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe shprehëm vullnetin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe bashkërenduar qëndrimet në të ardhmen për çështje të interesit të përbashkët," shkroi presidenti.