“Të vegjlit” kërkojnë bashkim, Mediu: Primare të hapura ose sondazhe; Duka: Të përçarë se mundim dot Ramën
Partitë e vogla të opozitës propozojnë përfaqësimin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale. Në këtë konkluzion janë dakordësuar edhe grupimet e vogla të opozitës pas një takimi informal, ku janë shprehur se opozita e përçarë nuk ka shanse përballë mazhorancës. Propozimi i tyre është zhvillimi i primareve të hapura, po edhe sondazhet për kandidatët potencialë në çdo bashki.
Kryetarët e grupeve të vogla të opozitës, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule janë dakordësuar se opozita duke të bashkëpunojë për zgjedhjen e kandidatëve të përbashkët potencialë për kryetarë bashkie në zgjedhjet e ardhshme.
Propozimi i tyre është për zhvillimin e primareve të hapura, por edhe sondazhet.
Fatmir Mediu: Flasim për një proces që të bashkojë gjithë opozitën prandaj që parapraket e hapura ku votojnë qytetarët ose sondazhet është rruga më e mirë. Ka terren për gjithësecilën parti për të dalë në vete në nivele këshilltarësh. Jo për shkak të interesave tona se kemi ndërmend një individ të caktuar për ta propozuar diku por për shkak se është marrëdhënia më e mirë që ne mund tu ofrojmë qytetarëve shqiptarë.Një kandidat i vetëm për kryetar bashkie i gjithë opozitës.
Aleatët e PD janë të një mendje se përçarja mes palëve nuk do të sillte asnjë rezultat, madje sipas Dukës procesi i bashkimit është i vonuar përballë organizimit të Partisë Socialiste.
Agron Duka: Është shumë e vështirë që nëse dalim me dy kandidatura të mund të fitojmë një numër të konsiderueshëm bashkish. PS është shumë e fortë, ka gjithë pushtetin vendor, ka një organizim shumë më të mirë sesa ne, ka filluar punën për zgjedhjet ndërkohë që ne nuk kemi nisur punën akoma për këtë.
Fatmir Mediu: Interesi i Edi Ramës është të ketë sa më shumë kandidatë. Nëse do ketë shumë kandidatë shanset për të fituar në një terren ku blihet vota, intimidohen votuesit, ku strukturat e shtetit janë të kontrolluara, veprohet me një proces të kontrolluar, terësisht të monitoruar ku votohet dhe si votohet, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për opozitën.
Situata aktuale e Partisë Demokratike, ku deputetët ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët është një pengesë që sipas tyre duhet evituar deri në zgjedhjet e ardhshme.
Agron Duka: Është e pamundur, nëse do dalin dy kandidatë unë prapë do mbështes opozitën por jemi të çorientuar, do të ndodhë 6 marsi.
Megjithëse ende nuk janë ulur në të njëjtën tryezë për të gjetur një dakordësi unanimisht të gjitha partitë politike në opozitë e kanë të qartë se mënyra më e mirë për tu përballur me mazhorancën është që zgjedhjet të organizohen me vetëm 1 kandidat të përbashkët në të gjitha bashkitë.
