Kanali “u merr frymën” banorëve në Vlorë, situatë e rëndë nga ujërat e zeza
Një kanal i ujërave të zeza në lagjen Kushtrimi në Vlorë, është kthyer në një shqetësim real për banorët. Ata thonë se mungesa e një pune serioze nga institucionet ka bërë që jetesa e tyre të bëhet e vështirë për shkak të ndotjes së lartë.
Dhjetëra familje në lagjen kushtrimi në Vlorë, jetojnë pranë këtij kanali të ujrave të zeza.
Ata thonë se jetesa po bëhet e papërballueshme pranë tij.
"Ja ku është. Fëmijët kanë ikur në Itali, nuk vijnë më. Kur erdhi sa kishte lindur nipi, rrinte kyçur. I thashë babi këto kushte kam. Të shkosh në hotel se nuk dilte dot nga era e mushkonjat," tha një banor.
"Këtë kanal kështu e kemi gjetur dhe kështu vazhdon të jetë. Keq e më keq…Nuk u rregullua, nuk hapim dot dyer e dritare. Mjerë këta që janë fare këtu afër," thotë një banore.
Të revoltuar, gishtin e fajit e drejtojnë nag institucionet lokale të cilat sipas banorëve nuk kanë bërë asgjë serioze për rehabilitimin e kanalit.
"As nga ana e bashkisë, asnjë gjë. Edhe kur kishte zgjehdje premtuan që do ta bëjnë e do ta mbulojnë dhe asnjë gjë," tha një banor tjetër.
Thonë se veç aromës së rëndë, dhe ndotjes së madhe, rreziku i sëmundjeve është i lartë pranë tij.
"Mirë unë që jam i vjetër, po të rinjtë. Sa ngrihesh në mëngjes nuk ngopesh dot me ajër nga era që vjen. Ti lemë mushkonjat dhe insektet…" tha ai.
Banorët janë ankuar ndër vite në ndërmarrjen e shërbimeve publike dhe në institucionin kryesor të qytetit, bashkinë e Vlorës, por kërkesat e tyre dhe ankesat ndër vite kanë mbetur pa zgjidhje.
