Rrëmbimi dhe vrasja e Jani Prengës, dënohet me burgim të përjetshëm Festim Bixhdili
Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë personin që dyshohet se ka fshehur trupin e 52-vjeçarit Jani Prenga, i cili u rrëmbye dy vjet më parë dhe më pas trupi i tij u zhduk në zonën e Shijakut. Për këtë ngjarje është dënuar me 3 vjet edhe personi tjetër Olsi Turja, i cili ka patur dijeni por nuk ka denoncuar krimin. Disa të dyshuar të tjerë për pengmarrjen ndodhen jashtë Shqipërisë, ndaj dosja e tyre është veçuar.
Gjykata e Posaçme ka vendosur të dënojë me burg përjetë Festim Bixhdilin, njërin nga të akuzuarit për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jani Prengës në janar të vitit 2020.
Për të pandehurin tjetër të arrestuar për këtë ngjarje Olsi Turja, gjykata vendosi denimin me 3 vite burg por dhe shuarje te masës së sigurisë pasi afati 3 vjeçar ka mbaruar gjatë kohës që ka qëndruar në "arrest shtëpie".
Ashtu si prokuroria edhe gjykata ka arsyetuar se edhe pse ende nuk janë gjetur eshtrat e Jani Prengës rrethanat dhe provat e gjetura tregojnë se ai ka vdekur, ndërsa Bixhdili është ai që e di ku është varrosur.
Për të akuzuarin tjetër Olsi Turja, i akuzuar për “pengim të zbulimit të të vërtetës”, u vendos dënim me 3 vite burg të cilin e ka kryer gjatë kohës që ishte në "arrest shtëpie".
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine të mbërritur nga Ekuadori, në portin britanik Portsmouth, nga vëllai i viktimës.
Në formë hakmarrje ndaj këtij veprimi gjykata thotë se me urdhër të shtetasit Dritan Rexhepi , i cili ndodhet i arrestuar në Ekuador, është marrë peng edhe 52-vjeçari i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e rrahjes dhe keqtrajtimeve.
Festim Bixhdili është akuzuar si personi që ka siguruar vendin ku dyshohet se është groposur trupi i Jan Prengës.
“I pandehuri nuk ka treguar të vërtetën dhe as vendin ku është fshehur trupi i viktimës”, theksoi prokuroria në gjyq, duke shtuar se nga pamjet filmike në garazhin e kompleksit “Golden” në Shijak, duket viktima që nuk jep asnjë shenje jete për disa orë me radhë.
Shenjat e gjakut të gjetura në vendngjarje të krahasuara me AND ne nënës së viktimës rezultojnë, se i përkasin të njëjtit profil gjenetik.
