Aministia fiskale, BE ka shqetësime serioze. Rama fton ambasadorët por nuk shkon vetë në takim
Kryeministri Rama ka shmangur përballjen me diplomatët e huaj në vendi tonë përsa i përket deklaratave që qeveria e tij nuk tërhiqet nga amnistia fiskale pavarësisht kundërshtive të ndërkombëtarëve. Edhe pse i ftoi në takim, shefi i ekzekutivit ka menduar që t’ja delegojë këtë sfidë ministrave të qeverisë së tij dhe kreut të grupit të partisë që drejton. Por të besuarit e Ramës nuk kanë arritur të bindin të paktën BE, që në një reagim për ORA News u shpreh se drafti ka probleme serioze.
Edhe pse i kishte thirrur në një mëngjes pune për t’i bindur ambasadorët për amnistinë fiskale, Edi Rama në momentin e fundit ka ndryshuar mendje për të mos vajtur në takim.
Për t’ju thënë diplomatëve që qeveria nuk tërhiqet nga legalizimi i parave në të zezë të emigrantëve kryeministri dërgoi para tyre ministren e financave Delina Ibrahimaj, ministren e jashtem Olta Xhaçka dhe kryetarin e grupit parlamentar të PS Taulant Balla.
Në një reagim për Ora News delegacioni i BE në Tiranë shprehet se Brukseli nuk ka ndryshuar qëndrim për amnistinë fiskale as pas takimit me të dërguarit e Ramës, madje i kanë dhënë edhe një mesazh kryeministrit, që të rishikojë draftin.
Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”
Përfaqësuesit e ambasadës së SHBA, Britanisë, Gjermanisë dhe të Suedisë nuk kanë bërë ende një reagim për pozicionimin e tyre pas takimit në vilën qeveritare 30.
Ditën e mërkurë, 28 shtator, pas mbledhjes së qeverisë, Rama deklaroi që nuk do të tërhiqet nga amnistia fiskale pavarësisht kundërshtive të ndërkombëtarëve. Përgjigjen e këtij qëndrimi nga selitë diplomatike në vend shefi i ekzekutivit, ka preferuar që të mos e marrë drejtëpërdrejtë, por zgjodhi që mesazhin t’ja përcjellin të besuarit e tij të mazhorancës.

