Gjyqi i Gerdecit në apel, Luan Hoxha do të përfaqësohet nga një avokat
Pas dy seancash shtyrje gjykata e apelit vendos të vazhdojë gjyqin për cështjen e Gerdecit, pavarësisht mungesës së Luan Hoxhës, ish shef i shtabit të përgjithshëm në kohën kur ndodhi tragjedia. Oficerët e policisë gjyqsore nuk kanë arritur të njoftojnë zyrtarisht Hoxhën, pasi nuk e kanë gjetur në adresën e tij dhe komshinjtë e tij kanë thënë se ai prej kohësh nuk banon më aty.Ndërkohë edhe nga sistemi TIMS vërtetohet se Luan Hoxha ka dalë nga Shqipëria nga pika kufitare e Rinasit në datën 4 janar të vitit 2012 dhe nga ajo kohë ai nuk ka hyrë më në territorin shqiptar. Ndërkohë prokurori i cështjes ka kërkuar shtyrjen e seancës,pasi të pandehurit kryesorë të cështjes Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeci dhe Mihal Delijorgji nuk kanë dorëzuar ankimimet plotësuese brenda afatit dhe për këtë fakt ai nuk është njohur plotësisht me ankimimin.Ndërkohë njëri nga avokatët e të pandehurit kërkoi edhe mos pranimin e ankimit të prokurorisë, pasi në atë që i është dorëzuar gjykatës vëtëm në një paragraf flitet për të pandehurit pjesa tjetër ka gjëra të përgjithshme dhe për këtë fakt gjykata nuk duhet ta pranojë.Pasi ka dëgjuar palët trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 19 tetor, në mënyrë që palët të njihen më ankimimet plotësuese të njëra-tjetrës.