Akuzat e Ramës për arsimin, reagon MASH
Ministria e Arsimit ka reaguar pas deklaratave të sotme të lidershipit të selisë rozë, Edi Rama, lidhur me rritjen e analfabetizmit në vend. Përmes një deklarate për mediat, drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, ka përcjellë fakte dhe të dhëna të kalkuluara në përqindje lidhur me frekuentimin e arsimit në Shqipëri, duke filluar nga ai parashkollor e deri tek arsimi universitar.“100 % e fëmijëve në moshën 6-vjeçare janë regjistruar në klasën e pare, ku 85 % e nxënësve të klasës të parë kanë ndjekur të paktën 1 vit të arsimit parashkollor. Mbi 92 % e nxënësve që mbaruan arsimin e detyruar u regjistruan në arsimin e mesëm. Në qytete kjo shifër shkon 95 % dhe në Tiranë është 100 %. Kujtojmë këtu se para vitit 2005, vetëm 77 % e nxënësve ndiqnin arsimin e mesëm. Ndërkaq edhe pjesëmarrja e nxënësve në arsimin parauniversitar ka pasur rritje të ndjeshme” tha ai.Nga ana tjetër Vejsiu ka falenderuar Ramën edhe lidhur me mësimin e gjuhës anleze, ku sipas tij kreu i PS po mbështet projektin e qeverisë për mësimin e kësaj gjuhe.