Nis rikonstruksioni i çerdhes nr.15

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin  e çerdhes nr.15 në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka theksuar se sistemi i ngrohjes i cili po instalohet në të gjithë çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës, do të ecë me ritme të shpejta, në mënyrë që i gjithë sistemi parashkollor dhe shkollor i qytetit të Tiranës të ketë 100% ngrohje, deri fillimin e vjeshtës së vitit të ardhshëm."Ne po e bëjmë këtë investim të vonuar e të munguar, tërësisht me fondet e Bashkisë së Tiranës, po e bëjmë duke përdorur një teknologji e cila mundëson ngrohjen e hapësirave parashkollore, çerdheve, kopshteve dhe shkollave, me një kosto sa gjysma e asaj që është përdorur deri më sot, duke zëvendësuar karburantin e djegshëm me materiale të riciklueshme (peletat) dhe në këtë mënyrë i shërbejmë edhe ambientit por i shërbejmë edhe me një kosto më të ulur, duke përdorur me më shumë "nikoqirllëk" paratë e taksapaguesve të Tiranës, duke siguruar këtë standard i cili duhej të ekzistonte prej kohësh në Tiranë dhe që është një domosdoshmëri, kur flasim për Tiranën moderne dhe evropiane, ambiente të ngrohura në të gjithë sistemin parashkollor dhe shkollor të qytetit të Tiranës"  theksoi Basha.Rikonstruksioni i kësaj çerdheje do të kryhet brenda 6 muajsh. Fëmijëve të çerdhes nr.15 do t'u shërbehet në tre çerdhe të tjera, në një largësi prej afro 600 m nga kjo çerdhe, çerdhja 26 dhe 16 dhe 56.  Projekti i rikonstruksionit tërësor të saj parashikon ndër të tjera edhe një shtesë, në mënyrë që të krijohen ambiente sa më të përshtashme për fëmijët si dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.