"Duhet të harrojmë Berishën dhe Metën", Abilekaj: Qeveria Rama, më e korruptuara dhe më e keqja që ka pasur Shqipëria

Analisti, Enton Abilekaj, thotë se politika shqiptare është politikë krizash.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava teksa bën një skaner të zhvillimeve aktuale, thotë se ndërsa zgjedhjet vendore janë afër, opozita ende nuk duket e aftë për të përballuar atë proces dhe për të dhënë një sinjal të qartë përmes tyre.

Abilekaj: Ka një krizë politike që është përmanente në Shqipëri. Politika shqiptare është politikë krizash. Gjithmonë ka një luftë mes mazhorancës dhe opozitës, sidomos tani shohim se kemi një sulm ndaj Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës, kemi një sulm ndaj Sali Berishës. Dhe kemi një opozitë që në vetëvete e ka të vështirë të përgjigjet, të organizohet dhe të bashkohet. Nuk na jep bindjen se është e aftë të përballojë një fushatë dhe një proces zgjedhor që të paktën të ndryshojë diçka të rëndësishme dhe të japë një mesazh të fortë në zgjedhjet lokale. Jo se nuk jemi mësuar me përplasjet mes partive por sepse opozita është në një pikë të dobët, është në vitin e nëntë të dobët të saj.

Rikthimi i Berishës dhe Metës në krye të dy partive kryesore të opozitës ka rritur besimin te mbështetësit e tyre por jo elektorati i gjerë.

Një nga arsyet sipas Abilekaj është dhe konsumimi i tyre si figura politike.

Abilekaj: Ka diçka më shumë shpresa te mbështetësit e tyre për një opozitë më të fortë, sigurisht që ka një forcë më të madhe se ajo e mëparshmja. Por nuk ka precizionin që pritej dhe nuk është shndërruar në alternativë. Fakti që këta (Berisha dhe Meta) kanë një të kaluar të diskutueshme e ndihmon shumë Edi Ramën që të tashmën e tij dhe të shkuarën e afërt të tij ta justifikojë me të shkuarën e tyre. Nëse do kishim lider të rinj në krye të partive ky problem nuk do ishte, sot Rama do të ishte në një pozitë shumë herë më të vështirë. Po kështu opozita nuk po tregon atë aftësi vendimmarrëse dhe zbatuese të vendimeve që premtoi se do të ndryshonte. Na u tha që do kemi një protestën në shtator dhe ende nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, na tha PD se do kemi primarë për kandidatët dhe sot thonë se nuk janë gati se nuk kemi ende reformë territoriale.

U tha se do gjendet një rrugë për bashkimin e grupit parlamentar të PD dhe sot kemi jo dy por tre grupe parlamentare të PD në parlament. Opozita jo vetëm nuk është organizuar në asnjë nga drejtimet, nuk është bashkuar. Edhe protestat mes Partisë së Lirisë dhe PD u tha se do bëheshin të përbashkëta, nuk janë bërë. U bë një protestë modeste e Partisë së Lirisë, shfryu tolummbacen e një opozite të fortë që u pa në 7 korrik. Opozita sot është në krizën e identitetit, e riformimit të saj, krizë që lind edhe sepse lidërët janë të konsumuar, të pamotivuar, politikanë që kanë provuar gjithçka dhe tani kanë zënë llogoren e opozitës.

Nga ana tjetër te mazhoranca, Abilrkaj thotë se në nivel absolut Rama nuk pëlqehet, por në nivel relativ a është më i pëlqyeshëm se opozita.

Abilekaj: Ky është një problem shumë i madh, tregon se ku jemi. Rama në raport me qeveritë perëndimore ka një pozitë krejtësisht jo të favorshme. Ai luan kartën nacionaliste, vëllazërimin me Vuçiç dhe Ballkanin e Hapur. Alternativa e Edi Ramës për ndërkombëtarët mungon sot në Shqipëri. Nëse zhgënjimi dhe zemërimi do të tejkalojë zemërimin e politikanëve të opozitës mund të kthehen në pushtet, këtë po presin ata, këtë duhet të presim dhe ne. Gjendja të shkojë aq e keqe sa të harrojmë se kush është Sali Berisha dhe Ilir Meta. Nuk është e pamundur të ndodhë. Se qeveri më të korruptuar dhe më të keqe se kjo nuk ka pasur Shqipëria nga 1912, jo vetëm Shqipëria por edhe rajoni.

Sa i takon takimit të Ambasadores amerikane me Ilir Metën, Abilekaj thotë se nuk ka asnjë vlerë por nga opozita kërkon që të qartësojë mendimin e saj në raport me Yuri Kim.

Abilekaj: Takim institucional që nuk do të thotë asgjë. Basha bëri foto me Trumpin dhe në vend që të fitonte zgjedhjet në 2017 po hetohet për fondet sot. Ilir Meta ka pasur një raport shumë të vështirë personal me Yuri Kim, të cilin ndoshta e kanë tejkaluar për arsye institucionale. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Opozita duhet të thotë se çfarë mendon për Yuri Kim, është një ambasadore siç thotë Ilir Meta me Sali Berishën që bën politika personale në Shqipëri, ndihmon Edi Ramën për arsye personale apo institucionale.