Shqipëria përkrah Ukrainës, Rama në OKB: S`njohim referendumin e njëanshëm

Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës dhe nuk njeh referendumin e organizuar nga Rusia në disa zona të saj. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e OKB ku dënoi dhe sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë por edhe akuzat e Dick Martyt ndaj UÇK-së dhe procesin ndaj Hashim Thaçit. Për Ramën, nisma Open Balkan është në ndihmë të një marrëveshje afatgjatë Kosovë-Serbi.

Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë synonte gjunjëzimin e një vendi sovran por nuk ia arriti. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në OKB.

Rama: Sulmi kibernetik që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte një agresion i sponsorizuar shtetëror, orkestruar dhe kryer nga Republika Islamike e Iranit.

Nga Asambleja e OKB-së, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria qëndron përkrah aleatëve perendimorë që jo vetëm nuk njohin por edhe dënojnë referendumin që po organizohet nga Rusia në disa zona të Ukranës.

Rama: Referendume farsë po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës. Është e vështirë të imagjinosh që ndokush këtu mund të pranojë në heshtje këtë shpërfillje kaq të turpshme të ligjeve, rregullave, normave, praktikave që qeverisin marrëdhëniet midis shteteve në shekullin XXI. Këto veprime shkojnë përkundër së drejtës ndërkombëtare e jo vetëm. Ato jo vetëm nuk reflektojnë vullnetin e lirë të popullit të Ukrainës, por ofrojnë një spektakël mizerabël të shkëputjes nga gjithçka që na sjell bashkë nën çatinë e Kombeve të Bashkuara. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk njohim asnjë prej këtyre paligjshmërive

Raportin e Dick Martyt kundër UÇK-së, Rama e cilësoi si një shembull turpi, duke theksuar se asnnjë provë nuk u gjet për trafikimin e pretenduar të organeve.

Rama: Ndërkohë që flasim kanë arrestuar pa padi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. Përpiquni ta imagjinojeni të gjithë për një moment, presidenti juaj apo kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, nga një organizëm i krijuar nga një komunitet vendesh demokratike.

Kreu i qeverisë shfrytëzoi rastin për të mbrojtur nga tribuna e OKB-së nismën e Open Balkan.

Rama: Nuk është e thënë të merremi vesh për gjithçka. Duke forcuar mardhëniet me Serbinë, Shqipëria nuk lëviz nga kërkesa për njohjen e Kosovës.Është koha të lëvizin përtej ngërçit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me BE dhe SHBA. Ballkani i Hapur do ta lehtësojë këtë proces. Nëse do të ecësh shpejt ec vetëm nëse do të shkosh larg shko me të tjerët.