Blushi publikon pamjet: Masakra e kurorës së gjelbër të Tiranës është një tjetër krim i bandës Rama-Veliaj
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi akuzon kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj se kanë kryer masakër ndaj kurorës së gjelbër të Tiranës.
"Masakra e kurorës së gjelbër të Tiranës është një tjetër krim i bandës Rama-Veliaj" shkruan ai në facebook.
Ai ka publikuar një video me pamje të marra nga toka dhe sateliti, që i përkasin një prej kodrave dikur më të gjelbëruara të kryeqytetit, në hyrje të autostradës Tiranë - Elbasan, të cilat sipas tij dëshmojnë qartë gjurmën e madhe të shkatërrimit të natyrës së virgjër nga kantieri i stërmadh i betonit, që po zëvendëson pemët me rezidenca vilash.
Blushi nënvizon se kjo është një tjetër dëshmi tronditëse që rrëzon propagandën e gënjeshtërt të "Pyllit Orbital" dhe që tregon në dritë të diellit se si babëzia që nuk ndalet, paligjshmëria dhe korrupsioni i bandës Rama-Veliaj po zhduk me shpejtësi gjelbërimin.
"Mbushja e xhepave të tyre me paratë e betonit duke bërë trafik me mushkëritë e banorëve të Tiranës është i vetmi misionin dhe vizion i Edi Ramës dhe Erion Veliaj për kryeqytetin! Këta armiq të gjelbërimit dhe shëndetit të qytetarëve të Tiranës duhen shporrur sa më parë" përfundon ai.
