Parku që s’po mbaron kurrë në Durrës

I planifikuar të përfundonte me 1 qershor të 2021, i ashtuquajtur Eco Parku në Durrës, ende nuk është përfunduar, edhe pse afati është shtyrë të paktën 3 herë. Vetë kryeminsitri Edi Rama kishte deklaruar se Eko Parku do të përfundonte për një vit e gjysmë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Më 1 qershor 2021 këtu do të bëhet një super festë e kalamajve," tha Edi Rama në dhjetor të 2019 i cili lajmëronte se me 1 qershor të 2021 punimet për Eko Parkun në Porto Romano të Durrësit do të përfundonin.

Por edhe pse afati ka kaluar më shumë se një vit Eko Parku ende nuk është hapur për publikun.

Si kreu i qeverisë, si ministrja e Infrastrukturës ashtu edhe Bashkia e Durrësit, kanë lajmëruar disa herë hapjen e këtij parku por realiteti është ndryshe.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Po çfarë funksionimi bëhet atje? Patën 5 lekë dhe i hodhën atje. Këtu tek ne nuk funksionon asgjë në rregull” u shpreh një banorë.

Odiseja e gjatë e Eko Parkut nis pikërisht në 2019 ku deri atëherë zona ishte bëj lëndfill mbetjesh i cili ka qenë një ndër problematikat e vazhdueshme në qytetin e Durrësit.

“Ata lekët i bëjnë drogë për veten e tyre se boll na i kanë mbushur atë vendin aty hiq këtej vendose andej,” u shpreh një tjetër banorë.

Hapësira e Eco Park është një territor prej 155 mijë metrash katrorë shumë pranë detit dhe portit të ri që pritet të ndërtohet në Porto-Romano, për të cilin Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka vënë në dispozicion të projektit një fond 1.68 miliardë lekë, i cili do të shtrihej në një hark kohor të një viti e gjysmë, sipas specifikimeve të tenderit të publikuar më herët.