PD: Qeveria u shet me çmim 1 euro tokën publike ‘investitorëve strategjikë’, biznesmenëve të afërt me Ramën

Sekretarja për Transparencën, Luftën kundër Korrupsionit dhe Kthimit të Pronave, Ledina Mandia, ka denoncuar shitjen e pronave publike klientëve të qeverisë. 

Sipas Mandias, qeveria u shet me çmim 1 euro tokën publike “investitorëve strategjikë”, biznesmenëve të afërt me Ramën, pa dëgjesa, pa transparencë, pa kompensim për pronarët e ligjshëm, pa një plan të qartë.

"Partia Demokratike dënon në vijimësi dhe me forcë trajtimin e pronës publike si çiflig personal të Edi Ramës dhe shpurës së tij.  Të ashtuquajturit investitorë strategjikë, siç e kemi dësmuar me fakte në këtë foltore, nuk janë gjë tjetër veçse ‘shokë të partisë dhe familjes’, grabitës të tokave publike, gaztorë të oborrit, apo oligarkë të Rama-Veliajt. Rama iu ka shitur, me çmime të ulta pronë publike, apo dhënë me qira 1 Euro tokë -truall shtetërore, apo edhe privatizuar me çmime qesharake për ndërtimin e rezorteve turistikë, klientelës së tij. Në anën tjetër ka ndjekur politikën e refuzimit të kthimit të tokës te pronarët e ligjshëm në këto zona. Kur pronarët e ligjshëm kanë refuzuar t’u shesin tokën këtyre me demek investitorëve strategjikë, në fakt klientë të qeverisë, ai i ka shpronësuar me çmime qesharake" tha ajo.

Mandia garantoi se Partia Demokratike me të ardhur në pushtet, do t’i rishikojë këto kontrata abuzive dhe do të çojë për ndjekje penale të gjithë ata që pronën publike e trajtojnë si ‘tokë të babës’.