Momenti kur nis sulmi në sistemin TIMS, hakerat mesazh: "Shqipëria po paguan ..." Shikoni videon
Ora News siguron videon e momentit kur duket se ka nisur sulmi kibernetik nga grupi Home Land Justice.
Në video shënohet ora 20:00 e 9 shtatorit 2022. Në terminalin e Rinasit dhe duket që sistemi ka nisur ngecjen pasi polici i bën refresh dhe e mbyll dhe e rihap sistemin. Ndërkohë qytetarët presin në rradhë për të bërë verifikimin.
Në këtë video e cila mban edhe logon e tyre duket që punonjësi i policisë fillon të përdorë regjistrin për qytetarët që hynë apo dalin nga pika kufiare. Më pas ky problem është shfaqur në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit.
Mesazhet Home Land Justice
"Pse duhet të shpenzojmë taksat tona për terroristët e Durrësit….! Për sa kohë ka mbështetje për terrorizmin ka edhe luftë, për sa kohë ka luftë ne jemi duke luftuar”
Këto janë 3 mesazhe të cilët janë shfaqur në kompjuterat e punës të efektive të policisë kufitarë një natë më parë në cdo pikë të kalimit kufitar republikën e Shqipërisë.
Grupi i ashtuquajtur Home land Justice dhe i identifikuar si hakera me lidhje me Iranin kanë sulmuar duke nxjerrë offline faqen zyrtare të policisë, sistemin e kamerave dhe platformën Tims të cilat ende nuk janë rikupëruar.
Reagimi
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot (10 shtator) se agresori që fshihet pas sulmit kibernetik të sistemit të regjistrimit të hyrje daljeve nga vendi i njohur dhe si sistemi TIMS ishte sërish Irani.
Edhe ministria e Brendshme përmes një njoftimi deklaroi se sulmi ishte nga e njëjta dorë.
"Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast" deklaroi ministria e Brendshme përmes një njoftimi për median.
Aktualisht në pikat kufitare po punohet manualisht për rregjistrimin e qytetarëve dhe mjeteve që hyjnë e dalin nga vendi.



