Pallati 9 katësh “pa leje”, komisariati 1 e denoncoi në prokurori rastin në 8 maj 2021, organi i akuzës pushoi dosjen
Objekti 9 katësh në zonën e Farkës, i cili u sekuestrua nga qeveria pasi u tha se ishte ndërtuar pa leje, ka qenë objekt hetimi nga komisariati 1 dhe prokuroria që prej vitit 2021. Kallëzimi është bërë më 8 maj të atij viti dhe megjithëse është shoqëruar edhe me foto të objektit pa leje, askush nuk është penalizuar. Prokuroria e ka mbyllur dosjen me argumentin se nuk ka vepër penale ndërsa punimet kanë vijuar.
Një ditë pasi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, zbuloi publikisht tek zona e “Liqenit të Thatë”, prezencën e një pallati 9 katësh pa leje ndërtimi që administrohet nga biznesmeni Julian alias Lulzim Morina, duket se situata e raportimit të kësaj paligjshmërie është bërë 15 muaj më parë.
Biznesmeni Morina rezulton të jetë vënë në ndjekje penale nga prokuroria e Tiranës, për akuzën “Ndërtimit pa lejë” për qëllime përfitimi.
Por në fakt asnjë masë arresti për të nuk është vënë në zbatim nga organi i akuzës.
Ora News zbulon se qysh prej datës 8 Maj 2021, në prokurorinë e Tiranës, është rregjistruar një material hetimor, i mbëritur nga komisariati nr.1 në Tiranë.
Praktika hetimore është ndjekur nga shefi i komisariatit të asaj kohe, i cili ka konstatuar se biznesmeni Lulzim Morina, po ndërtonte kate shtesë, jashtë lejës së miratuar nga bashkia Tiranë.
Në bazë të kësaj praktike hetimore me Nr.5862, prokuroria e Tiranës rezulton të ketë rregjistruar procedimin penal Nr.4144. Dosja penale është “pasuruar” dhe me dokumenta të tjera, të institucioneve si INUV dhe IKMT-ë, të cilat kanë çuar në prokurori praktikat e tyre.
Nga materiali që ekziston në dosje, ekziston një seri fotosh satelitore të vitit 2021 dhe 2022.
Ky është një imazh satelitor i tetorit 2021, ku tregohet qartësisht se në këtë vend, nuk ka pasur asnjë objekt në ndërtim dhe dukshëm, sipërfaqja tokësore është e pa zënë me ndërtesa.

Shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë mësohet se në tetor 2021 ka lënë detyrën pranë këtij institucioni, duke u transferuar me shërbim në komisariatin Nr.5 në Kamëz.

Ndërsa kjo është një foto tjetër e marsit 2022, ku në këtë territor bosh është duke u ndërtuar pa lejë pikërisht ky pallat këtu, që dy ditë më parë u denoncua dhe nga zv/kryeministrja, Belinda Balluku.
Sipas burimeve të prokurorisë për këtë objekt Lulzim Morina, nuk ka pasur lejë ndërtimi dhe objekti është ngritur me shpejtësi në kohë rekord.
Njëherësh Morina ka shkelur rregullat dhe ligjet e urbanistikës, për pallatin që ka me leje, duke ndërtuar dy kate më tepër jashtë lejes së miratuar nga bashkia.
Por mësohet se çuditërisht hetimet për këtë rast janë pushuar nga prokuroria me argumentin se nuk kishte vepër penale.
Çështja është ndjekur prokurori Arian Përmeti, dhe se tashmë ajo që dihet është fakti se ndaj Morinës nuk ka asnjë masë ndalimi nga akuza e kryeqytetit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


