"Nuk do ju telefonoj për të toleruar shkelësi" Rrumbullaku e nis nga vetja, kërkon analizë për ngjarjet kriminale në Tiranë

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku zhvilloi disa takime prezantuese me drejtorët ku u ka kërkuar të mos ndërhyjnë në struktura për të ndihmuar askënd që shkel ligjin por dhe as të mos tolerojnë.

Dhe e ka nisur nga vetja.

“Unë si Drejtor i Përgjithshëm nuk do t’ju telefonoj asnjëherë për të ndihmuar apo toleruar njeri, ndaj kërkoj me vendosmëri që të zbatoni ligjin dhe të mbroni e të ndihmoni stukturat kur ato zbatojnë ligjin me këdo.  Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit” u ka thene Rrumbullaku policeve.

Në takimin me drejtorët e Departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë dhe drejtorët e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Drejtori i ri i Përgjithshëm ka kërkuar ndryshim të vizionit që ata kanë. 

Muhamet Rrumbullaku: “Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qasjen ndaj komunitetit dhe luftën ndaj krimit dhe jo të ndryshoj emra. Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri”

Analiza ngjarjeve kriminale

Gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar kontroll të plotë të territorit dhe të mënyrës së funksionimit të strukturave në terren; ndryshim të menjëhershëm të situatës në drejtim të parandalimit të krimit në përgjithësi dhe analiza të veçanta për ngjarje kriminale, duke nxjerrë përgjegjësitë dhe mangësitë e strukturave në atë territor ku kanë ndodhur ngjarje kriminale apo krime në familje.  

Në takimin me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe ata të Drejtorisë së Policisë Rrugore, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që Policia Rrugore në Tiranë dhe në të gjithë vendin të ndryshojë mënyrën e deritanishme të funksionimit në raport me sjelljen ndaj shkelësve të Kodit Rrugor dhe qasjen ndaj qytetarëve.