Kurbin/ Rikonstruksioni i shkollës në prag të vitit shkollor, nxënësit mësim pasdite
Nxënësit e Gjimnazit në Gorre të Kurbinit do bëjnë mësim pasdite.
Viti i ri arsimor do të nisë me probleme të vjetra në Kurbin. Nxënësit e shkollës së mesme në fshatin Gorre do ta zhvillojnë mësimin pasdite, pasi shkolla e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 ende nuk është rikonstruktuar.
Viti i ri shkollor do të nisë me probleme në Bashkinë e Kurbinit.
Rreth 150 nxënës të shkollës së mesme të bashkuar "At Shtjefen Kurti" në Gorre do ta zhvillojnë procesin mësimor pasdite.
Godina e amortizuar dhe dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 ende nuk është rikonstruktuar.
Vendimi ka irrituar prindërit e nxënësve të cilët thonë se fëmijët e tyre nuk duhet të vuajnë pasojat e neglizhencës së institucioneve.
"Nuk bëhet mësimi natën. Errësohet në orën 4.
Ata nuk e kanë afër. Vijnë me fugon këtu," thonë ata.
Thonë se rikonstruksioni i shkollës duhet të ishte bërë gjatë kohës së verës dhe jo në këtë periudhë, pasi mësimi me turne do të ndikojë negativisht tek fëmijët e tyre.
"Shkolla duhet të ishte rregulluar tre muajt e verës, jo tani që fillon mësimi.
Çdo gjë bëhet mbrapsht. Duhet të ishte rregulluar në verë jo tani," thonë ata.
Interesit të Ora News për këtë çështje Drejtoresha e Zyrës Arsimore Kurbin Pashke Zefi nuk pranoi ti përgjigjet.
