TEC-i lundrues/ Ambientalisti flet për "përbindëshin" që po hyn në portin e Vlorës: Djeg 600 ton naftë sa 100 mijë makina në ditë

Dy anijet nga Bangladeshi për prodhimin e energjisë elektrike pritet të ankorohen në port dhe Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës po proteston për të ndërgjegjësuar vlonjatët se një gjë e tillë do të thotë shkatërrim jo vetëm mjedisor por dhe për turizmin e Vlorës.

Nuk janë të shumtë ata që kanë dalë sot në këtë protestë janë një grusht njerëzish por janë të motivuar dhe akuzojnë qeveërinë.

“Çështja është shumë serioze, por mungesa e informacionit dhe bllokazhi që ka bërë qeveria, ka ndikuar”  thotë ambientalisti Lavdosh Ferruni në një prononcim për median.

 Për t’ia treguar me fjalë të thjeshta se çfarë do të thotë për Vlorën prodhimi i energjisë përmes djegies së naftës ai bën një krahasim të thjeshtë Sikur sot në Vlorë 100 mijë makina të bëjnë 100 km brenda Vlorës, brenda ditës.

“Kjo anije që po vjen ka të inkorporuar 2 platforma që do të instalohen tek Triporti tek porti i peshkataerëve, që në vetvete është e papranueshme. Do të jenë dy platforma supergjigande, supergjeneratorë që do të djegin 600 tonë naftë të rëndë në ditë. Kjo është katastrofë për atë që kupton çdo të thotë djegia e naftës.

Kjo sasi nafte që do të digjet 600 tonë është e barabaratë sikur në Vlorë sot 100 mijë makina të bëjnë  100 km brenda Vlorës, brenda ditës. Kjo është katastrofa që pritet të ndodhë me këto dy anije. Po kjo është vetëm fillimi.

 Ne jemi sot këtu për të nisur një betejë të madhe kundra rrezikut të madh që kërcënohet Shqipëria ku mund të zgjasin kthetrat lobet e fuqishme të naftës. Kjo është një katastrofë jo vetëm mjedisore por dhe për turizmin.

 Nuk mund të bashkëjetojë një turizëm me një super gjenerues të emesioneve të rrezikshme të naftës së rëndë që digjet. Nuk është një gjenerator, impiant I vogël, është gjigand, është përbindshëm."

Ambientalistët po protestojnë me pankarta në duar ku shkruhet: Nuk e japim Vlorën”