Tentoi të trafikonte mbi një ton kanabis drejt Greqisë, Apeli lë dënimin me 10 vite burg për Bashkim Murataj
Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me 10. 8 muaj burg për Bashkim Murataj i akuzuar për tentativën e trafikimit të 1 ton drogë nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 2019, informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi, Engert Pëllumbi dhe Lutfije Celami, vendosi sot: Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 22.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Murataj u arrestua më 11 gusht 2021 për akuzën e trafikimit të një ngarkese prej një ton drogë, si pjesë e një grupi kriminal.
57-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi në dhjetor 2019-es i ishte caktuar masa e sigurisë "arrest nw burg" për trafik lëndësh narkotike.
Ai dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e datës 13 dhjetor 2019, në pikën kufitare Kapshticë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis.
Lënda narkotike është gjetur në dy kamionët e bllokuar në pikën kufitare ku u arrestuan në flagrancë në atë kohë drejtuesit e mjeteve Zija Hidri e Ardian Sako.
Lënda narkotike ishte e ndarë në 103 thasë me krunde, të fshehura në dy kamionët që udhëtonin drejt Greqisë, ndërsa si destinacion final kishin Turqinë.
Pas kësaj ngjarje, i vetmi që kishte mbetur në arrati ishte Bashkim Murataj i cili akuzohet për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.
Tre persona të tjetë, Gentian Ramadani, Andrea (Renato) Muça dhe Mariglen Sako, akuzohen për trafik droge e moskallëzim krimi në lidhje me këtë çështje.

