Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Nis boshatisja e Ambasadës

Shqipëria njoftoi sot (7 shtator 2022) se ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike te Iranit dhe urdhëron të gjithë personelin diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfire edhe personelin e sigurisë të ambasadës së Iranit në Tiranë të largohen brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë.

Vendimi u njoftua nga kryeministri Edi Rama përmes një deklarate për median mesditën e sotme pasi hetimet në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjitale u arrit të zbulohej "pa asnjë hije dyshimi, se sulmi kibernetik i mes korrikut ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një "agresion shtetëror" tha Rama. 

Ministrja Xhaçka deklaroi se sulmi ishte i paprovokuar dhe për këtë është njoftuar dhe NATO. Dy orë më pas sistemi e-Albania doli sërish jashtë funksionit. SHBA deklaroi se mbështet Shqipërinë dhe Irani duhet të mbajë përgjegjësi. 

Në orët e mbrëmjes, Ambasada e Iranit e vendosur te rruga “Mustafa Matohiti” nisi të boshatiset nga materialet ndërsa e gjithë kjo ndodhi nën monitorimin e policisë së shtetit.



LAJMI NE PERDITESIM


Ora 21:48 Boshatiset ambasada iraniane, digjen me zjarr dokumente në godinë 

Në një raportim nga ambasada, gazetarja e Ora News, Katerina Hysenllari, tha se në Ambasadë duket se po digjen letra. Nuk dihet se çfarë dokumentash janë duke u djegur në këtë godinë dhe nëse janë konfidenciale.


Ora 21:33 Meta dënon sulmin kibernetik të Iranit: Reagimi i qeverisë korrekt, por shumë i vonuar! Shqipëria të bashkëpunojë me NATO-n dhe BE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar sulmin kibernetik të Iranit. Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se masa e marrë sot nga qeveria për të ndërprere marrëdhëniet diplomatike është korrekte, por shumë e vonuar.


Ora 21:27 Eksperti për sulmin kibernetik: Irani nuk duhet marrë lehtë, kundërshtarë ka superfuqitë botërore

Edmond Liçaj, ekspert i teknologjisë dhe informacionit, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj ngre me shqetësimin mungesën e seriozitetit të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e kësaj çështje.Sipas tij, Irani nuk është një shtet që duhet marrë lehtë duke pasur parasysh që kundërshtarë ka superfuqitë botërore dhe ne kemi aleat të ngushtë njërin prej tyre.


Ora 21:04 Ekspertët amerikanë të sigurisë: Irani e sulmoi Shqipërinë si hakmarrje për strehimin e muxhahedinëve të MEK-ut

Sipas ekspertëve amerikanë të sigurisë, sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë ka lidhje me strehimin në Shqipëri të grupit opozitar iranian MEK. Për ta nuk ka dyshim që Irani qëndron pas sulmit të 15 korrikut. Gazetari i Zërit të Amerikës, Artan Haraqija bisedoi me ekspertët John Holtquist, që më parë ka punuar për qeverinë amerikane lidhur me sigurinë kibernetike dhe tani punon për kompaninë “Mandiant”, ku merret me ruajtjen e të dhënave të inteligjencës, si dhe me ekspertin tjetër, Amir Rashidi, nga organizata “Miaan”, specialist për censurën iraniane të internetit, sulmet kibernetike dhe prirjet e sigurisë.

Ora 21:03 Nis largimi nga zyrat e ambasadës së Iranit në Tiranë

Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatik me Republikën Islamike të Iranit duket se ka nisur edhe “dëbimi” i iranianëve nga ambasada e tyre në vendin tonë. Ambasada e Iranit e vendosur te rruga “Mustafa Matohiti” është duke u boshatisur nga materialet, ku shihet edhe prania e policisë së shtetit aty.


Ora 20:11 Irani: Pretendimet e Shqipërisë për ndërprerjen e marrëdhënieve të pabaza, ndikuan palë të treta

Në një deklaratë pasditen e së mërkurës, ministri i jashtëm iranian Nasser Ka'nani hodhi poshtë, sipas tij, pretendimet e pabaza të qeverisë së Shqipërisë kundër Republikës Islamike të Iranit. Ministria e Jashtme iraniane e konsideron vendimin e vendit për të ndërprerë marrëdhëniet politike bazuar në pretendime të tilla se janë një veprim i pamenduar në marrëdhëniet ndërkombëtare.


Ora 20:06 Britania e Madhe dënon Iranin për sulm të pamatur kibernetik kundër Shqipërisë 

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar sot (e mërkurë 7 shtator) shtetin iranian për një sulm kibernetik kundër qeverisë së Shqipërisë që shkatërroi të dhënat dhe ndërpreu shërbimet thelbësore të qeverisë, duke përfshirë pagesën e shërbimeve, rezervimin e takimeve mjekësore dhe regjistrimin e nxënësve.


Ora 18:23 Shqipëria, 'bllok' Iranit/ Ndoka: Të ndërpresim marrëdhënien me Ramën se nxori të dhënat sheshit 

Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane  ka ironizuar krisjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit. Gjatë një interviste për RTV ORA Ndoka tha se shpreson shumë që Rama të mund të provojë akuzat e ngritura ndaj këtij shteti e të mos jenë “pjellë” e fantazisë së tij.


Ora 18:15  Osmani: Dënojmë sulmin, qëndrojmë krah qeverisë shqiptare

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Iran.Osmani thotë se dënojnë me forcë sulmin keqdashës kibernetik kundër infrastrukturës kritike të Shqipërisë.


Ora 13:55 SHBA reagon mbi sulmin kibernetik: Mbështesim Shqipërinë, Irani të mbajë përgjegjësi 

SHBA shprehu mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë duke deklaruar se Irani duhet të mbante përgjegjësi për atë që kishte bërë.

Në deklaratën e zëdhënëses së NSC Adrienne Watson, theksohet se SHBA do të marrë veprime të mëtejshme ndaj veprimeve kërcënuese të Iranit ndaj një aleatit të tyre (Shpipëria).

"Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident të paprecedentë kibernetik. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike," thuhet në deklaratë.


Ora 13:54 Maqedonia e Veriut dënon sulmin kibernetik: Malinj, destabilizues për Shqipërinë dhe më gjerë

 


Ora 13:40 Rama ndërpreu marrëdhënien me Iranin pas sulmit kibernetik, e-albania bie sërish


Ora 13:37 FOTO/ Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim në kryeministri takon Ramën më pas Nikollën


Ora 13:07  A u godit Shqipëria për shkak të muxhahedinëve? Ja si përgjigjet zv/kryeministrja


Ora 12: 33 Xhaçka: Sulmi kibernetik nga Republika Islamike e Iranit ishte i paprovokuar, njoftuam NATO-n


Ora 12:10 Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, Trupi diplomatik duhet të largohet brenda 24 orësh

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Vendimi u shpall sot nga kryeministri Edi Rama, pasi provat e pakundërshtueshme vërtetuan se pas sulmit kibernetik i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ishte sponsorizuar dhe organizuar nga Irani

Vendimi i është bërë e ditur me notë zyrtare ambasadës së Republikës Ismale të Iranit dhe i kërkohet trupit diplomatik të lërë Shqipërinë brenda 24 orësh, deklaroi kryeministri Edi Rama në një deklaratë për median sot nga kryeministria.

Edi Rama:Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithe personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, pershfire edhe personelin e sigurise"

Rama tha se sulmi kibernetik i ndodhur më 15 korrik 2022 ka qenë agresion shtetëror i orkestruar dhe sponsorizuar nga Irani e cila kishte angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë.

Edi Rama: "Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.

Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.