Korçë, shiste mallra të kontrabanduara, arrestohet 47-vjeçari
Një 47-vjeçar i cili ushtronte aktivitetin në një lokal të paregjistruar në organet tatimore është vënë në prangat e policisë.
Gjatë kontrollit në këtë subjekt u gjetën produkte të dyshuara të kontrabanduara, të cilat tregtoheshin duke fshehur të ardhurat.
“U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, njofton policia.
47-vjeçari ushtronte aktivitetin në lokal, pa dokumentacionin përkatës dhe pa kasën fiskale.
Gjithashtu, në një nga ambientet e lokalit u gjetën produkte kozmetike, me mbishkrime në gjuhën greke, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

