Çollaku: PS ta vërtetojë se e ka seriozisht lustracionin, nëse Meta s’ka qenë spiun të dorëhiqet qeveria

Në një intervistë për Ora News, deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku u shpreh se sot PS-ja është në një provë me publikun lidhur me ligjin e lustracionit.

Sipas tij, PD-së nuk duhet t’i interesojë luftëra brenda PS-së me njëri-tjetrin, por në fokus janë të persekutuarit dhe të djathtët.

Ai shton se akuzat e PS-së kundrejt Metës se ka qenë ish-spiun i Sigurimit është shumë e rëndë dhe nëse vërtetohet e kundërta, atëherë qeveria duhet të dorëhiqet.

Çollaku: Sot PS-ja është në një provë me publikun dhe do ta kuptojmë shumë shpejt nëse është një flluskë në ajër, apo në qëndrim i tyre i sinqertë sepse ne jemi në mënyrë konstante. Këtu ka edhe një betejë brenda llojit për të luftuar njëri-tjetrin. Ne nuk na interesojnë dy pjesë politike të PS-së dhe asnjë të djathti nuk duhet t’i interesojë. Ne jemi këtu për të persekutuarit dhe të djathtët në vend. Nuk i shmangemi debatit sepse kjo ngjarje shoqërohet me akuza të rënda që ka bërë PS kundrejt ish-presidentit Meta. Kjo është një akuzë shumë e rëndë sepse do të ishte një fyerje e vërtetë kundrejt republikës.

Edhe e kundërta do të ishte një skandal, sepse përndryshe duhet të bjerë qeveri nëse vërtetohen akuzat e Metës. Hapja e dosjeve e ndihmon këtë situatë me Ramës dhe Metës, nëse është e vërtetë apo jo. Qeveria duhet të bjerë nëse ka manipulim, sepse nuk mund të bëhet manipulimi i dosjes së presidentit. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë në mënyrë që dhjetori i viti 1990 të mos ketë qenë i vjedhur. PS-ja është në një provë dhe le t’i hapim dosjet deri në qelizën e fundit.