UMSH hap dyert për studentët e rinj, këtë vit vjen me programe të reja studimi

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë do të presë këtë vit më shumë se 1500 studentë të rinj.

Teksa kuotat janë përcaktuar dhe lista e aplikantëve të raundit të parë është bërë publike, rektori i këtij Universiteti Adrian Civici fton të gjithë maturantët që e kanë përzgjedhur të kryejnë procedurën e regjistrimit pranë Sekretarisë.

"Dy javët në vijim janë shumë të rëndësishme për zgjedhjen e maturantëve sepse nga data 2 deri në datën 15 shtator, është data kur aplikantët dhe maturantët duhet të regjistrohen.Në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë ka pasur këtë vit një numër shumë të madh kërkesash, mbi kapacitetet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe për këtë arsye procesi do të jetë dhe një proces seleksionues regjistrimi për të pranuar më të mirët."

Kuotat e limituara janë në tre Fakultetet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, i cili vjen këtë vit me programe të reja studimi dhe disa risi.

"Unë jam besimplotë se një masë e konsiderueshme e gjeneratave të reja do të shpresin interesin edhe për të studiuar në fushën e Mësuesisë. Qasja e re e këtyre dy programeve lidhet me vizionin që kemi ne si institucion".

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka aktualisht 3500 studentë në tre Fakultetet e tij.