Maturantja ekselente, fiton në 10 programe, zgjedh Mjekësinë e Përgjithshme

Të mërkurën në portalin U-Albania u publikua lista e maturantëve që kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet e larta. Rosela Marku është një prej nxënëse ekselentë që ka fituar në të dhjetë programet që ka aplikuar. Ajo ka zgjedhur mjekësinë të cilën e ka ëndërruar që në vegjëli.

Rosela Marku ndihet e shpërblyer për mundin dhe orët e gjata mbi libra.

Maturantja e gjimnazit “Qemal Stafa” ka fituar programin e Mjekësisë së Përgjithshme.

“Është një profesion që unë mund ta bëj mirë dhe për tregun e punës sepse është e sigurt që do të zësh një vend pune.”

Ëndërra për të veshur përparësen e bardhë e ka shoqëruar që nga vegjëlia.

Rezultatet e larta të tre viteve të gjimnazit dhe provimeve të maturës e kanë nxjerrë fituese në të dhjeta degët që ka aplikuar.

“Në momentin që pashë të gjitha degët me jeshile isha shumë e lumtur sepse gjithë mundi i 3 viteve ishte shpërblyer.”

Ka zgjedhur ato programe për të cilat ka nevojë tregu i punës.

“Kam aplikuar për financë, inxhinieri elektronike e komunikacione dhe bioteknologji.”

Studimet për mjekësi do t'i nisë në Shqipëri dhe dëshiron që të ardhmen ta ndërtojë po këtu.

“Kam synim që të bëj bachelorin këtu ndërsa për specializime do të vazhdoj jashtë. Kam ndërmend të kthehem në Shqipëri.”

Të mërkurën në portalin U-Albania u publikua lista e maturantëve fitues. Raundi i parë i regjistrimeve për në universitete do të nis të premten e 2 shtatorit dhe do të zgjasë deri në datën 15 të këtij muaji.