Publikohen numrat e telefonit dhe ID e shqiptarëve, eksperti i IT-së: Shqetësuese, qeveria s’po merr asnjë masë

Publikimi i të dhënave personale sëfundmi i numrave të telefonëve të qytetarëve shihet me shqetësim të madh nga ekspertët e IT-së për vetë faktin se vijnë njëra pas tjetrës.

Ndërkohë asnjë nga institucionet nuk ka marrë masa.

"Është një rast i përsëritur, tregon mospërgjegjshmëri të institucioneve përgjegjëse dhe fakti që nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe asnjë ndryshim në këto institucione që janë përgjegjëse për rrjedhjen e të dhënave apo menaxhimin e të dhënave të qytetarëve të Shqipërisë tregon një mosgatishmëri."

Edmond Liçaj, ekspert IT-je, shprehet se qeveria do të duhej të kishte shkarkuar personat që kanë detyrim ligjor për ruajtjen e të dhënave personale të të gjitha fushave dhe më pas të dënoheshin sipas ligjit.

"Është jetike ndryshimi sidomos i drejtuesve të këtyre institucioneve dhe propozojmë dhe sugjerojmë drejtues teknikë, të aftë përsa i kërket çështjes së sigurisë së të dhënave. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm të këtyre individëve por fatkeqësisht ata janë në nivele shumë të ulëta drejtuese apo specialistë të thjeshtë në këto institucione. Përsa kohë të kemi këta drejtues siç kanë qenë, ne do ti kemi të vazhdueshme këto lloj rrjedhje të dhënash siç na dalin çdo ditë."

Liçaj thotë se ky fenomen nuk duhet të ndodhë më, duke  marrë parasysh se kohë më parë u publikuan pagat sëbashku me numrin e identifikimit personal të këtyre qytetarëve.

Më pas u bënë publike dhe targat e automjeteve të rreth gjysmë milioni shqiptarësh bashkë me numrat përkatës të telefonit.

Së fundmi hakerat kanë nxjerrë 7 dosje me emrat, mbiemrat, numrat personalë të kartës së identitetit dhe numrat e telefonit.