Incineratorët, Malltezi: Ku është SPAK? PD: Prokuroria e Posaçme ka ditë që sheh e ditë që nuk sheh

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi në një dëklaratë për mediat ka denoncuar vjedhjet me incineratorin e Elnasanit.

Sipas Malltezit aty vjedhja ligjërohet dhe ligji shkelet, por SPAK ka ditë që sheh, e ditë që nuk sheh.

Jamarbër Malltezi: Në Fletoren Zyrtare, për incineratorin e Elbasanit është botuar një shkarravinë. Kjo pra është historia e transparencës së incineratorëve të infamozëve Rama-Veliaj-Ahmetaj-Mërtiri-Zoto-Gugallja: shqiptarët kanë dhënë 430 milion euro, por nuk kanë marrë mbrapsht asgjë. Madje as një skicë të ‘veprave monumentale’, të cilat do ta shpëtonin Shqipërinë nga plehrat, apo do të zvogëlonin edhe vrimën globale të ozonit.  E vetmja vrimë që është zvogëluar është ajo e miut, ku janë futur për tu fshehur një pjesë e grupit kriminal. Të gjithë ata, aty e kanë vendin një ditë. Aty vjedhja ligjërohet dhe ligji shkelet, por SPAK ka ditë që sheh, e ditë që nuk sheh.

Sakaq Malltezi drejtoi dhe pesë pyetjet e radhës përgjigjet e së cilave tregojnë afërën e incineratorit të Elbasanit.

Jamarbër Malltezi: 1. A mund të ketë kontratë në kundërshtim me ligjin?

2. A mund të ketë kontratë që rri në fuqi edhe kur nuk zbatohen disa pika të saj? 

3. Kush e ka hartuar këtë kontratë brenda ditës? A është hartuar nga drejtoria juridike siç e kërkon ligji apo është marrë e gatshme nga Rama-Zoto-Mërtiri dhe drejtoria juridike nuk u lejua as ta shohë e as të bëjë komente?

4. A është marrë në pyetje dhe a është ofruar bashkëpunim me drejtësinë për drejtorin e drejtorisë juridike në kryeministri? 

5. A ka gjurmë në kontratë të mjaftueshme që SPAK të nisë hetimet duke bllokuar së pari veprën e aktit korruptiv?

 “E dimë se një Kokë është në burg, por nuk është koka e kësaj vjedhjeje në shkallë industriale. Ai mund të jetë pjesërisht fajtori, por me siguri është plotësisht kokë turku”, u shpreh Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi.