"Zbuloni zyrtarët pastaj bashkëpunëtorët", Ndregjoni: Nëse hapen dosjet e Sigurimit bie sistemi i drejtësisë
Ish-të dënuarit politikë kërkojnë nga politika të fillojnë hapjen e dosjeve duke nisur nga funksionarët e më pas të vijohet me bashkëpunëtorët. Një nga njohësit e kësaj çështje, Besim Ndregjoni në ditën përkujtimore të viktimave të komunizmit, shprehet se nëse realisht do të bëhet transparencë, bie parlamenti dhe sistemi i drejtësisë.
Rikthimi i lir Metës në jetën politike shqiptare ka rikthyer pas 9 vite heshtje idenë e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të shtetit.
Jashtë debatit nuk kanë mbetur edhe vetë të dënuarit politik, të paktën ata që janë ende në jetë.
Besim Ndregjoni, tashmë 30 vite pas regjimit të Enver Hoxhës kërkon që së pari parlamenti të lejojë zbulimin e ish- zyrtarëve të SHIK-ut e më pas vartësve të tyre.
"Do ti hapë dosjet mazhoranca, le të fillojë të hapë dosjet e punëtorëve të Sigurimit, ata që krijuan dosjet, pastaj dosjet e bashkëpunëtorëve. Nuk mund të penalizosh bashkëpunëtorin kur nuk ke penalizuar punëtorin që ka krijuar dosjen, punëtorin që e ka futur në burg 20 vjet vetëm pse nuk u bë bashkëpunëtor."
Madje si një person që e ka ndjekur prej vitesh çështjen e dosjeve, në ditën përkujtimore të viktimave të regjimeve totalitare, ai paralajmëron se nëse ligji do të ndërtohet si duhet nuk tronditet vetëm politika, por edhe vetë kupola e drejtësisë.
"Nëse mazhoranca e ka seriozisht idenë, të gjithë organet e larta të drejtësisë, drejtuesit e saj të largohen se kanë qenë punëtorë të Sigurimit të Shtetit. Punëtorë të Sigurimit kanë qenë prokurorët, hetuesit e diktaturës. Prokurorët dhe hetuesit e diktaturës drejtojnë organet e drejtësisë sot."
Sipas të dhënave rreth 30 mijë individë që kanë zyrtarë të sigurimit të shtetit dhe mbi 200 mijë konsiderohen si bashkëpunëtor ndër 45 vite të diktaturës komuniste.

