Skandal me vezët në Shkodër, zbulohet pularia që hidhte në treg produkt të pakontrolluara
Një pulari e paregjistruar që hidhte në treg vezë të pakontrolluara për cilësinë, në emër të markave të njohura, është zbuluar në Shkodër. Policia lokale atje njoftoi se kishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre drejtorin e AKU-së, Gjergj Sokoli, i cili iu përgjigj akuzave me deklaratë nga zyra e tij.
Pamjet në video tregojnë kushtet në një pulari të paregjistruar të zbuluar në Bërdicë të Sipërme të Shkodrës.
Vezët e prodhuara aty, paketoheshin me logo të markave të njohura dhe hidheshin në shitje pa asnjë kontroll për cilësinë.
55-vjeçari që kishte ngritur këtë aktivitet dhe që mund të rrezikonte shëndetin e konsumatorëve u vu në pranga me tre akuza.
Në vijim të hetimeve, policia njoftoi se kishte shpallur në kërkim drejtorin Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Gjergj Sokoli, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre.
Sipas bluve, 55-vjeçari dyshohet se favorizoi pularinë e paregjistruar, duke mos denoncuar aktivitetin dhe duke mos kryer kontrolle.
Por drejtori i AKU-së në Shkodër iu përgjigj akuzave të policisë nga zyra e tij.
"Sa i takon operacionit të zhvilluar në një nga subjektet e qarkut Shkodër ne kemi zhvilluar një monitorim në kuadrin e monitorimit të gripit të shpendëve. Rezultoi se subjekti në fjalë nuk ka NIPT aktiv. Kjo do të thotë se është jashtë juridiksionit të AKU-së për tu monitoruar apo inspektuar. AKU zhvillon kontrolle në ato subjekte që janë të regjistruara. Inkurajoj strukturat të kryejnë të gjitha strukturat e nevojshme proceduriale. Unë dhe institucioni që drejtoj do të jemi përherë në dispozicion të zbardhjes së të vërtetës dhe zbatimit të ligjit."
Për skandalin e vezëve të pakontrolluara, policia e Shkodrës akuzon edhe një inspektor pranë drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, i cili po hetohet në gjendje të lirë.

