Incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh, Çollaku: U cenua siguria kombëtare, pas kësaj qëndron Federata Ruse
Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, incidentin në uzinën ushtarake të Gramshit, e ka cilësuar si cenim të sigurisë kombëtare.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Çollaku tha se ne nuk kemi asnjë lloj garancie se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin edhe në vijim.
Teksa e ka konsideruar si një ngjarje shqetësuese, tha se institucionet duhet të angazhohen dhe t’i përgjigjen sa më mirë kësaj situate.
Kreshnik Çollaku: Është provë e gjallë që ngjarja nuk është e thjesht cenon sigurinë kombëtare. Ne nuk kemi asnjë lloj garancie se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin në vijim. Ndikimet e përpjekjeve të inteligjencave të anti-Nato janë duke prodhuar konflikte të tilla. Pas kësaj qëndron Federata Ruse. Ngjarja është shqetësuese. Kjo nuk duhet kaluar as me panik as me neglizhencë. Institucionet duhet të angazhohen dhe t’i përgjigjen kësaj situate. Është e sigurt që të tjera do të ndodhin. Është detyrë që të rritet niveli i inteligjencës.
Një incident i rëndë me prapavijë të dyshuar spiunazhi rus është shënuar pasditen e 20 gushtit 2022 në Uzinën Ushtarake Çekin në Gramsh. Rreth orës 17:40 minuta dy roje ushtarake shqiptare janë sulmuar me spraj neuroparalizues nga një shtetas rus i cili kishte hyrë brenda territorit të Uzinës dhe ka tentuar të bëjë fotografi.
Rojet i kanë bërë thirrje të ndalonte por ai ka tentuar të largohet. Në momentin kur dy rojet e kanë ndaluar ai është kundërpërgjigjur duke përdorur spraj neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.
E ndërsa policia ka bërë shoqërimin e 24 vjeçarit në Mikhail Zorin në Komisariatin e Gramshit, janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës një shtetase ruse e cila është identifikuar si Svetlana Timofoeva 33 vjeç dhe një shtetas ukrainas i identifikuar me inicialet F.A, 25 vjeç.
