Veliaj u turret mediave, shfrytëzon ceremoninë e Luiza Gegës, fajëson gazetarët: Mos publikoni skandalet e Tiranës

Erion Veliaj ka shfrytëzuar ceremoninë e nderimit të kampiones së Evropës Luiza Gega për t’iu turrur medias. Për punët e pakryera ai shprehet se faj kanë gazetarët që kanë publikuar skandalet dhe se iu është dashur të merret me ta. Madje duke akuzuar se mediat nuk kanë prodhuar gazetar që të bëjnë lajme siç i do ai. Nga ana tjetër duke e vlerësuar veten se ai është Shqipëria ka kërkuar edhe një pakt kombëtar për të mos i zbuluar shkeljet dhe keqadministrimin e fondeve dhe të territorit të bashkisë.

Luiza Gega ka mbërritur triumfatore si kampione e Evropës në vrapim, por aq edhe e thjeshtë dhe shpresë plotë për atë që I ka dhënë vendin.

E tillë u shfaq edhe këtë të martë në aktivitetin e organizuar nga kryeministri Edi Rama.

Por në 1 orë aktivitet, ku u renditën me radhë ministra dhe kryeministra, atletes së mësuar me vrapimin iu desh të qëndronte ulur e të dëgjonte lavdërime sa shumë qeveria kishte punuar për të.

Madje dhe kryebashkiakun Veliaj që u hodh në sulm kundër medieve.

Pikërisht në këtë ditë feste Veliaj nxori dufin për skandalet që i janë publikuar e sigurisht përmend vetëm ata që nuk publikojnë lajmet e tij të gatshme.

Veliaj: Do të më merrte më shumë kohë që të merresha me lapsat dhe stilolapsat e portaleve, me Jeta osh Qef e gallatë, me çdo trafikant droge që ka TV në këtë vend, apo do të harxhojmë gjysmën e kohët që të sqarojmë cinikët dhe stërkëmbëshat e pabesuesit e thikat pas shpina.

Por ku e ka hallin Veliaj, a e ka te parku "Rinia" që vetëm dy vite pasi hodhi 1 milionë euro e shqepi nga e para për të hedhur para shtesë, te akuzat e ndërkombëtareve për pastrimin e parave në ndërtim, te betonizimi, ndotja, përgjimet e Ndragetës, firma që ka hedhur te incineratorët.

Jo, Veliaj e quan vetën Shqipëri dhe kërkon pakt që të mos e kritikojnë.

Veliaj: Duhet të bëjmë një pakt kombëtar shqiptari me shqiptarin.

Në fakt Veliaj është i zgjedhur për të administruar bashkinë e të përgjigjet për paratë që shpenzon, ndërsa media ka detyrë ndër të tjera të zbulojë e denoncojë shkeljet.

Por Veliaj ka dhe një tjetër shqetësim. Ka merakun se nuk po përgatiten gazetarë të rinj.

Veliaj: Kur unë shoh njerëz, gazetarë që japin mend në TV them se ky mentor i kujt ka qenë, ka promovuar një gazetar të ri?

Në fakt numri i gazetarëve të rinj është në rritje, por të ndarë në dy metoda ata që shikojnë vetë lajmin në terren, kryejnë investigime dhe ata që publikojnë atë që i dërgon bashkia.

Sigurisht Veliaj do t’i konsiderojë cilësor ata që shkruajnë atë që u dërgon gati bashkia.