Policia tha se është në kërkim të tij, drejtori i AKU Shkodër shfaqet në zyrë: Jam në krye të detyrës

Pak orë pas njoftimit të policisë se e kishte shpallur në kërkim, drejtori i AKU-së në Shkodër, Gjergj Sokoli u shfaq në zyrën e tij nga ku bëri dhe një deklaratë  për mediat.

"Në orët e drekës të ditës së sotme u informova se jam në kërkim nga policia e Shkodrës. Aktualisht ndodhem në krye të detyrës në zyrën time".

Drejtori i AKU në Shkodër, Gjergj Sokoli, akuzohet nga policia se ka favorizuar një pulari të paregjistruar që të hedhë në treg vezë të pakontrolluara për cilësinë, nën logo të markave të njohura.

Ai sqaroi më tej se pasi është informuar nga strukturat përkatëse është paraqitur në policinë e Shkodrës mëngjesin e kësaj të marrte, 23 gusht, ku ka dhënë të gjitha deklarimet e nevojshme.

"Jo vetëm si drejtor i AKU-së Shkodër prej një viti, por edhe si qytetar i Shqipërisë, nuk kam shkelur asnjëherë ligjin" tha ai.

Drejtori i AKU-së dha detaje edhe lidhur me operacionin e policisë, duke thënë se rasti në fjalë nuk është në juridiksionin e këtij institucioni për inspektim pasi subjekti nuk ka NIPT aktiv.

"Sa i takon operacionit të zhvilluar në një nga subjektet e qarkut Shkodër ne kemi zhvilluar një monitorim në kuadrin e monitorimit të gripit të shpendëve. Rezultoi se subjekti në fjalë nuk ka NIPT aktiv. Kjo do të thotë se është jashtë juridiksionit të AKU-së për tu monitoruar apo inspektuar. AKU zhvillon kontrolle në ato subjekte që janë të regjistruara. Inkurajoj strukturat të kryejnë të gjitha strukturat e nevojshme proceduriale. Unë dhe institucioni që drejtoj do të jemi përherë në dispozicion të zbardhjes së të vërtetës dhe zbatimit të ligjit."

Policia e Shkodrës vuri sot në pranga pronarin 55-vjeçar të një pularie në Bërdicë të Sipërme të Shkodrës.

Vezët e prodhuara aty, paketoheshin me logo të markave të njohura dhe hidheshin në shitje pa asnjë kontroll për cilësinë.

Sipas uniformave blu, "nga hetimet, rezultoi se drejtori i AKU së bashku me Arben Brojën me detyrën inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër favorizuan pularinë e paregjistruar duke mos denoncuar aktivitetin dhe duke mos kryer kontrolle".