PS me ligj kundër metës/ Balla: Çështjen e “Non Gratave” ta marrë përsipër SPAK
Në shtator socialistët do të kërkojnë ndryshimin e ligjit të hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit por edhe të kodit zgjedhor. Taulant Balla shprehet se emrat që do të dalin si bashkëpunëtorë do tu ndalohet kandidimi dhe të njëjtin veprim propozoi dhe për rastin e sekretarëve të partisë komuniste.
Partia Socialiste do të paraqesë në kuvend projektligjin përmes të cilit do tu ndalohet kandidimi të gjithë bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të para vitit 1990. Nisma është ndërmarrë vetëm pak ditë pasi autoriteti i dosjeve zbuloi se edhe Ilir Meta ka pasur një dosje të tillë, teksa taulant balla shprehet se përmes saj synohet pastrimi në Kuvend
“Personat që rezultojnë të kenë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit me vepra konkrete jo vetëm që këto fakte duhen bërë publike dhe kjo lidhet me pjesën e ligjit, por të pamundësojmë vazhdimin e ngjitjes së tyre në karrierën dhe hierarkinë shtetërore.”
Madje duke shigjetuar edhe Sali Berishën, Balla kërkon ndalimin e kandidimit dhe të ish-zyrtarëve komunist.
“Është e papranueshme pas vendosjes së demokracisë dhe pluralizmit në vend një sekretar partie, i shpallur dhe “Non Grata” të vazhdojë të bëjnë ‘pis” Kuvendin e Shqipërisë dhe politikës."
Megjithatë socialistët duket se nuk do të kërkojnë që në ligjin e dekriminalizimit të përfshihet dhe çështja “Non Grata, për këtë socialistët kërkojnë reagimin e SPAK.
“Kjo i takon organeve të drejtësisë dhe i bëjë thirrje Prokurorisë së Posaçme anti-korrupsion që në dritën e akuzave të ngritura nga SHBA por së fundmi nga letra që i është dërguar Berishës nga Britania, mendoj se është e përshtatshme, është një çështje që i takon drejtësisë dhe nuk është çështja e paketës për dekriminalizimin.”
Tashmë socialistet do të presin nisjen e punimeve në parlament për të paraqitur nismën, duke kërkuar edhe vota nga opozita.
