Ballkanasit përplasen në Shqipëri, 9 të plagosur në një orë nga aksidentet në Shkodër dhe Pogradec
Nëntë persona nga katër shtete të Ballkanit mbetën të plagosur në dy aksidente të rënda në Shkodër e Pogradec këtë të hënë, 22 gusht 2022. Një shqiptar është në gjendje më të rëndë.
Tre makina të drejtuara nga një shqiptar, një shtetas malazez dhe një shqiptar i Kosovës u përplasën pranë fshatit Beltojë në aksin Shkodër-Lezhë.
Goditja duket se ka qenë e fortë dhe për pasojë dy makina përfunduan jashtë rruge, siç tregojnë edhe pamjet në video nga vendi i ngjarjes.
Për pasojë tre drejtuesit e mjeteve dhe tre gra që udhëtonin si pasagjerë mbetën të plagosur.
Të gjithë u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Shkodrës, nga ku bëhet me dije se 30-vjeçari shqiptar që drejtonte makinën "Opel" është në gjendje të rëndë.
Njoftimi i policisë për aksidentin
Më datë 22.08.2022, rreth orës 15:20, në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, në fshatin Beltojë, janë përfshirë në aksident rrugor, automjeti tip “Opel”, me drejtues shtetasin I. Gj., 30 vjeç, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin malazez P. G., 42 vjeç dhe automjeti tip “BMW”, me drejtues shtetasin kosovar A. B., 24 vjeç.
Si pasojë e këtij aksidenti, janë dëmtuar të tre drejtuesit e automjeteve, njëri prej të cilëve, shtetasi I. Gj. është në gjendje të rëndë, si dhe janë dëmtuar gjithashtu shtetasit D. Gj., 54 vjeçe, O. G., 44 vjeçe dhe A. H., 25 vjeçe, pasagjere në këto automjete.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Aksident dhe në aksin Pogradec-Qafë Thanë, tre të plagosur
Këto pamje ndërkohë tregojnë përplasjen e dy makinave në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Piskupat, gjatë pasdites ndërsa në zonë pati reshje shiu.
Për pasojë dy drejtuesit e mjeteve dhe një 46-vjeçare banuese në Maqedoni të Veriut, pasagjere në mjetin tip “Benz”, mbetën të dëmtuar.
Të tre u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Pogradecit.
Dyshimet e para janë se shkak për dy aksidentet u bë shkelja e rregullave të qarkullimit, që mbetet arsyeja kryesore që përgjak rrugët në Shqipëri.
Referuar shifrave, numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25-34 vjeç, duke zënë 26,7% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Të paktën 95 persona kanë humbur jetën dhe 971 të tjerë mbetën të plagosur në 7 muajt e parë të vitit në aksidente.
Aksidentet e rënda nuk kanë munguar as përgjatë gushtit.
