Eksperti i sigurisë: Shqipëria nën vëzhgimin e Agjenturave të huaja të shteteve jomiqësore me të dhe NATO-n

Tre shtetasit e huaj të arrestuar pas incidentit në Uzinën e Gramshit më 20 gusht po hetohen për veprimtari spiunazhi në Shqipëri.

Shtetasi ukrainas Fiodor Mihailoviç, dhe dy rusët Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin deri në këtë fazë të hetimit akuzohen për tri vepra penale, por të dhënat dhe komunikimet e gjetura në telefonat e tyre pas arrestimit, kanë ngritur dyshime se aktiviteti i tyre në Shqipëri ka qenë vëzhgimi dhe mbledhja e informacionit për objektet ushtarake.

Eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se aktualisht nuk jemi në kushtet e cënimit të sigurisë kombëtare, pasi si uzina në Gramsh dhe ajo në Poliçan, nuk bëjnë pjesë në listën e objekteve të sigurisë kombëtare.

Por nga ana tjetër ai vë theksin te hetimi i plotë i të gjitha pistave teksa shqetësim mbetet interesi i shtuar ndaj objekteve tona ushtarake.

Zhilla: Cënim i sigurisë kombëtare do të konsiderohej kur cënohen objekte të sigurisë kombëtare. Sipas deklaratës së ministrit të Brendshëm dhe atij të Mbrojtjes këto objekte nuk janë klasifikuar si të tilla dhe për këtë arsye nuk mund jemi në nivelin e sigurisë kombëtare. Por kjo nuk do të thotë që hetimi i këtyre incidenteve nuk duhet të konsiderojë çdo lloj piste të ndërhyrjes së shteteve jomiqësore të Shqipërisë pasi kemi një seri incidentesh që na detyrojnë për të marrë masat në lidhje me këtë intensitet të shtuar të një interesi ndaj objekteve ushtarake shqiptare.

Edhe pse në dukje një ndërmmarrje amatorësh, Zhilla nuk përjashton mundësinë që rusët dhe ukrainasi të kenë përdorur si kamuflazh alibinë e të qënit blogerë.

Zhilla: Nuk përjashtohet asnjë pistë. Shërbimet inteligjente tuse janë të njohura për metodat e shumëllojshme përfshirë dhe të tilla forma. Forma amatore mund të fshehë synime dhe të përdoret për të testuar aftësitë, kapacitetet, reagimin e shoqërisë dhe institucioneve zyrtare shqiptare në lidhje me këto incidente për të marrë më pas hapa më të sofistikuar. Nga pamja e jashtme duket si incident banal por të tilla incidente banale nuk e di pse nuk ndodhën në objekte të tjera dhe pse krejt rastësisht na qëlloi që janë dy turistë rusë pranë objekteve ushtarake. Nuk përjashtohet asnjë pistë që këta mund të fshihen pas këtij petku dhe mund të jenë njerëz të Inteligjencës ruse.

Pyetjes se pse ky interes i shtuar për bazat ushtarake shqiptare Zhilla i jep këtë përgjigje.

Zhilla: Jemi pjesë e NATO-s, NATO ka synime që lidhen me përdorimin e territorit shqiptar në lidhje me aftësitë mbrojtëse të kësaj strukture që është struktura kryesore ushtarake në Perëndim. Ne jemi ndër aletatët e rëndësishëm nga pikëpamja gjeopolitike dhe kemi një rol të rëndësishëm në një nga zonat me të nxehta si Ballkani Perëndimor. Sigurisht Agjentura ruse është shumë e përfshirë në Serbi, në planet që dyshohet se mund të ketë Ballkani mund të jetë fare mirë një ndër rajonet që mund të krijohet një konklikt, apo të stiset një konflikt për ta përdorur konfliktin në Ballkan si një mjet negociues për interesa më të larta të rusëve si lufta në Ukrainë apo dhe interesa të tjera gjeopolitike. Vëmendja është rritur sa i përket një vendi si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi. Përdoren të gjitha mjetet e buta për të tërhequr vëmendjen dhe krijuar shqetësime, sidomos në periudhën e turizmit.

Eksperti i sigurisë nënvizon se në këtë seri incidentesh, qoftë dhe banale, ajo që na shqetëson është niveli i sigurisë dhe seriozitetit që kemi ne si shtet.

Zhilla: Jemi pjesë e një loje shumë të madhe dhe si të tillë duhet të sillemi.

Duke sjellë në vëmendje edhe sulmin kibernetik të e-Albania, Zhilla thotë se ka një sinkronizim në aksione të shteteve jo miqësore me Shqipërinë dhe NATO-n.

Zhilla: Unë kam bërë një analizë timen dhe për atë rast ku kam thënë se pas janë shërbimet inteligjente iraniane.Të gjitha vendet jomiqësore ndaj Shqipërisë dhe NATO-s kanë njëfarë sinkronizimi dhe nuk mendoj se janë të rastësishme gjëratndryshe do ishim naivë. Janë disa incidente që tregojnë se Shqipëria është nën vëzhgimin e agjenturave të huaja të shteteve jomiqësore me Shqipërinë dhe NATO-n. Shqipëria duhet të ngrejë kapacitetet duke filluar me Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake, SHISH, struktura speciale brenda policisë për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe kush mund të jenë rreziqet.

E ndërsa Shqipëria refuzoi ti bashkohet listës së vendeve që u ndaluan hyrjen shtetasve rusë për turizëm, Zhilla nuk e sheh si gabim këtë, duke shtuar se vendi jonë duhet të jetë shumë i kujdesshëm në lëvizjet diplomatike të tij.

Zhilla: Shqipëria duihet të jetë shumë e kujdesshme në lëvizjes e saj diplomatike, nuk ka nevojë të bëhet më katolike se Papa. Duhet të jetë shumë e kujdesshme në këto përplasje, në daljet e politikanëve tanë pasi duhet të kuptojmë se edhe kapacityete tona njerëzore dhe ushtarake në krahasim me vendet me të cilat kemi konkurrencë në rajon janë jashtëzakonisht të nivelit të ulët.