Ministrat Çuçi e Peleshi reagojnë për rusët në uzinën e Gramshit: Ngjarja nuk cënoi sigurinë kombëtare
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi këmbëngul se incidenti me shtetasit rusë dhe ukrainas në uzinën ushtarake të Gramshit nuk e ka cënuar sigurinë kombëtare.
Ai tha se në uzinë nuk ka më materiale të klasifikuara ushtarake dhe se tre të huajt, kishin shkelur rregulloren që ndalon filmimet pranë objekteve të tilla. Nga ana tjetër Bledi Çuçi pranoi se tre personave u janë gjetur pajisje që mund të përdoren për spiunazh.
Niko Peleshi: "Ngjarja e Gramshit po të trajtohet me seriozitet dhe me shumë vëmendje për shkak të elementit të dhunës dhe faktit që janë 3 të huaj me pasaporta ruse e ukrainase dhe që kishin disa ditë në Shqipëri. Nuk kanë qenë vetëm në Gramsh por dhe në zona të tjera. Nuk na shqetëson çfarë kanë tentuar të fotografojnë në Gramsh por mund të kenë pasur dhe synim që të devijojnë vëmendjen nga një skenar tjetër"
Në një dalje për media me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Peleshi tha se në bazën ushtarake në fshatin Çekin të Gramshit nuk ka materiale të klasifikuara ndërsa shtoi se rusët u ndaluan pasi thyen rregulloret e ushtrisë për ndalimin e filmimeve pranë objekteve ushtarake dhe kundërshtuan efektivat e forcave të armatosura duke hedhur ndaj tyre spraj kimik.
Niko Peleshi: "Nuk kemi cënim të sigurisë kombëtare, ama u thye rregullorja. Por në këtë rast minimalisht kemi dhunë ndaj personelit me uniformë, agresion"
Megjithatë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se pasijet që u janë sekuestruar shtetasve rusë dhe ukrainas, janë të dyshimta, çka krijon idenë se mund të përdorëshin për spiunazh.
Bledi Çuçi:"Mënyra si kane tentuar të hyjnë, pajiset që kishin me vete, dhe agresionin që kanë ushtruar ndaj personave që kishin detyrë të ruanin objektet janë marrë në hetim. E kemi në kontroll çdo gjë në lidhje me këtë situatë dhe përfundimi i hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë. Objekti nuk përbën sekret shtetëror, por ne po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve që kanë hyrë pa leje dhe kanë ushtruar dhunë ndaj personave që ruanin objektet"
Tre personat e arrestuar pritet të dalin të nesër para Gjykatës së Elbasanit për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre për tri akuzat e ngritura nga prokuroria ku përfshihet edhe spiunazhi.

