Në alert pas tragjedisë në Himarë, prefekti i Durrësit: E pafalshme të hyjë mjeti në zonën ku notojnë fëmijët

Ngjarja e rëndë në Himarë ngriti arlamin e institucioneve për monitorimin e bregdetit. Përjashtim nuk bëjnë as plazhet e Adriatikut dhe pse incidentet e kanë ndjekur jugun këtë vit.

Jani: Marrë shkas nga ngjarja e djeshme jemi në alert sa i takon monitorimit dhe ndjekjes hap pas hapi të gjithë aktivitetit turistik ujor të mjeteve lundruese.

Prefekti i Durrësit, Emiljan Jani, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj  e konsideron në kufijtë e absurdes aksidentin e djeshëm.

Jani: Ajo ngjarje tragjike na ka tronditur të gjithëve, por që të hyjë mjeti lundrues në zonën ku notojnë fëmijët është e pafalshme dhe e pakuptimtë. Është një ngjarje shumë trishtuese.

Jani tregon se gjithë sezonin turistik të gjithë subjektet private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e qarkut të Durrësit janë të monitoruar nga Taskforca.

Jani: Në bgregdetin e Durrësit jan ë komplet të monitoruara nga të gjithë institucionet që e kanë detyrë ligjore.Në bregdetin tonë operojnë 6 vendbazime të mjeteve lundruese turistike që janë rreptësisht të monitorueshme dhe të aksesueshme nga policia kufitare, kapiteneria e portit dhe agjencia kombëtare e bregdetit. Këto 3 institucione i licencojnë dhe monitorojnë vazhdimisht. Nuk kemi hasur shkelje.

Sipas ligjit, thotë ai, distanca e mjeteve lundruese me bregun është 200-300 metra.

Jani: Vendbazimet janë në tokë dhe kanë rrugëkalimet e tyre, duke ruajtur distancat e përcaktuara në ligj, që dalin për të ushtruar aktivitetin e tyre turistik.

Sa i takon rojeve të sigurisë, ai thotë se nuk kanë munguar rastet kur ata nuk janë gjetur në vendin e tyre të punës.

Jani: E vërteta është se në inspektimet e bëra në vazhdimësi jo në pak raste rojet bregdetare nuk janë gjetur në vendet e tyre të punës. Kjo ka bërë që të marrim masa herë pas here, tu tërheqim vëmendjen deri në heqjen e licencës së tyre në bregdet. Por në përgjithësi në qarkun e Durrësit nuk kemi pasur mangësi në rojet bregdetare por gjithmonë nën mbikqyrje.

Një kërcënim tjetër këtë sezon kanë qenë edhe zjarret.

Jani: Zjarri si në Shetaj dhe Mukje kemi rënie të intensitetit falë ndërhyrjes në kohë në mënyrë të specializuar të forcave zjarrfikëse që kanë punuar në mënyrë heroike. Mbrëmë isha në vatrat e zjarrit në Mukje që rrezikonin shtëpitë. U bë e mundur që shtëpitë të shpëtonin nga tragjedia. Ishin 10-15 shtëpi që ndodheshin 50 metra larg vatrës së zjarrit.Në Shetaj ka mbetur vetëm një vatër që monitorohet nga zjarrfikësit dhe ushtria. Në orën 14 kishim një zjarr në Derven i cili nga zjarrfikësja e Krujës me ndihmën e Autoritetit Portual u bë e munduar shuarja. Edhe në Mukje vatrat e zjarrit janë të parrezikshme për banorët e ndërtesat.

Prefekti i Durrësit nuk përjashton faktin se një pjesë e tyre janë dhe të qëllimshme.

Jani: Informacione zyrtare nuk kemi. Por ka mundësi të jenë zjarre të qëllimshme, nuk përjashtohet. Nuk e teprojmë nëse themi se ka zjarre të qëllimshme, shfrytëzohet momenti, temperaturat e larta.