Vokshi ju bën thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës që do të organizohet nesër

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në një deklaratë për mediat ju ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 19.00 përpara Kryeministrisë.

Gjithashtu ajo kërkoi që Rama të shkarkojë ministrat e tij të cilët i Vokshi i cilësoi si të papërgjegjshëm.

Albana Vokshi: Prej dy ditësh, Edi Rama, pavarësisht se vogëlushen e vrau me skaf Komisari i Shtetit, në një vend në të cilin kurrë nuk mund dhe nuk duhej të ndodhte, në vend të kërkojë një mijë herë ndjesë, të shkarkojë menjëherë ministrat e tij të papërgjegjshëm, vërsulet arrogant, frikacake gojështhurur, duke akuzuar kundërshtarët politikë dhe mediat me epitete të denja vetëm për të, me të cilat vetëm sa nxjerr zbuluar veten për përgjegjshmërinë e plotë, dështimin total te tij në vrasjen tragjike të Jonadës nga Komisari i tij skafist. Me këtë rast Partia Demokratike deklaron se tragjedia që i mori jetën vogëlushes Jonada Avdia, dje në plazhin e Himarës, nuk është përgjegjësi vetëm e kryepolicit Arjan Tase. Është një zinxhir i tërë institucionesh shtetërore që kanë përgjegjësi direkte. Ne jemi këtu për t’i thënë Edi Ramës se me qëndrimet e tua vetëm se dëshmon veten ortak të Tases në krimin e tij makabër.

 “Duam t’ju bëjmë thirrje gjithë të qytetarëve të indinjuar që ta trasferojnë protestën nga rrjetet sociale në shesh.  Shoqëria civile ka thirrur një protestë nesër në ora 19.00.  Bashkojuni protestës dhe lutjeve për shpirtin e Jonadës!”, tha Vokshi.

Qytetarët do të organizojnë një protestë ditën e nesërme (4 gusht) në orën 19:00 para Kryeministrisë për vrasjen e 7-vjeçares me skaf, në Himarë. Organizimi i protestës u njoftua fillimisht nga qytetarët në rrjetet sociale. Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike kanë pohuar mbështetjen për protestën.