Tragjedia në Himarë/ "Ishim dorë për dorë. Duhet të kisha vdekur unë jo ajo" Babai tregon minutat e fundit me Jonadën
Familja Avdia i dha sot lamtumirën Jonadës. Vajza 7 vjeçe humbi jetën teksa po lahej në det me babain e saj në plazhin e Potamit në Himarë.
Ia morën jetën manovrat e pakujdesshme të efektivit të policisë Arjan Tase teksa drejtonte skafin në breg të detit. Vajza u godit nga pjesa e prapme e mjetit lundrues duke I shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Bislim Ahmataj tregon biseden me babain e Jonadës i cili i tregoi momentet e fundit.
Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës .
Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.
Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort, mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.
Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s'ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.
Familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim...
Bledari i ati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s'më mori mua.
Ta mori krimineli me uniformë, por s'ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë.
Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.
E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.
Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet
