Tragjedia në Potam ku humbi jetën 7 vjeçarja, Rama gjen fajin te media, flet për organizimin shembullor të sezonit

Edhe pse në këtë sezon veror në bregdet u vra nga gomonia vogëlushja 7 vjeçare dhe u shënuan disa incidente me të plagosur, kryeministri Edi Rama flet për organizim shembullor të sezonit turistik. Madje revoltën në rrjete sociale por edhe paralajmërimin e protestës ai e shikon si faj të medies.

Edhe pse një vajzë 7-vjeçare e cila po pushonte me familjen e saj në plazhin e Potamit, gjeti vdekjen në mënyrë makabre nga një punonjës i policisë së shtetit, i cili po vepronte në kundërshtim me ligjin, në vend të mbajtjes së përgjegjësisë, kryeministri Edi Rama “skenën e krimit” e zhvendos drejt fajtorëve moralë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Por kjo jo nga radhët e funksionarëve të shtetit siç do të ishte e përligjshme, të cilët kanë dështuar të vënë në kontroll bregdetin dhe të garantojnë sigurinë publike, por duke e drejtuar gishtin drejt kundërshtarëve politikë dhe pasqyrimit në media.

"Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s'lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë  këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!" tha ai.

Tragjedia e Himarës nuk është rast i veçuar, pasi vetëm gjatë muajit korrik, po në jug të vendit, gomonet në breg të detit u kthyen në kërcënim për jetën.

Me 16 korrik në Jalë, mjeti ujor i doli drejtuesit nga kontrolli duke përplasur një çift të ulur në shezllone, ndërsa vetëm dy ditë më vonë një fëmijë 7 vjeçar mori plagë të rënda pasi u përplas nga një gomone në plazhin e Jonufrës.

Por pavarësisht këtyre rasteve, nga vilat qeveritare në jug të vendit ku po pushon kryeministri Rama, ku kontrollohet çdo lëvizje e këmbësorëve në breg dhe jo më lundrimi i mjetevë në det gjithçka duket e qetë për shefin e qeverisë.

"Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!" ka thënë Rama.

Pasiguria publike për Edi Ramën është vetëm përgjegjësi personale, pavarësisht se reagimet e shumta në rrjetet sociale kërkojnë largimin e dy ministrave përgjegjës, Ministrit të Brendshëm dhe Ministres së Mjedisit dhe Turizmit.

"Uroj edhe njëherë që drejtësia t'i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!" tha ai për ngjarjen e rëndë në Potam më 2 korrik.

Më datën 4 korrik në orën 19:00 qytetarët do të mblidhen përpara Ministrisë së Brendshme për të protestuar kundër qeevritarëve që nuk garantojnë jetën dhe sigurinë publike.