Bashkia e rregulloi deri tek shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit, banorët e Zallherrit ankohen për rrugën: Skandal, e lanë për 4 km

Zallherri është lënë në mëshirë të fatit nga pushteti vendor. Madje në investimin e fundit kryebashkiaku Veliaj shtroi vetëm rrugën ku ka rindërtuar shtëpitë për të treguar se investimet nuk mungojnë, por në të vërtetë rruga është e pashtruar dhe plot pluhur.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Njësia administrative Zallherr prej vitesh është lënë pa investime.

Investimi i fundit është asfaltimi i rrugës deri sa mbarojnë shtëpitë e rindërtuara të tërmetit.

Pjesa tjetër është lënë ashtu siç ka qenë, e pashtruar, ku në dimër rruga bëhet gjithë gropa dhe në verë gjithë pluhur.

"Kjo rrugë ka kohë që është në këtë gjendje kaq të dobët. Jemi gati 4 fshatra që kalojmë në këtë rrugë.

4 km rrugë është. U bënë vite, në dimër këtu nuk kalohet. Mbetëm duke rregulluar difektet e makinave, goma... Rruga është copë-copë," thonë banorët.

Banorët thonë se janë ankuar disa herë por askush nuk është kujtuar për to dhe pse zona është mjaft e populluar.

"Nuk e ka vënë ujin në zjarr asnjë. Thonë që do të vijnë, po s'kanë ardhur asnjëherë. Ta rregullojnë se është skandal, për 3-4 km rrugë.

Ta shtrojnë se nuk është ndonjë rrugë e gjatë. E kemi paraqitur disa herë si kërkesë dhe nuk është aprovuar," thonë ata.

Thonë se shumë janë larguar si pasojë e mungesës së investimeve.

"Po ikin njerëzit vetëm prej rrugës. Po gjejnë shtëpi me qira dhe po ikin poshtë. Këto janë fshatra shumë të mirë, jemi shumë afër me Tiranën, por problemi i rrugës," thotë një banor.

Veç rrugës zona vuan dhe mungesën e ujit të pijshëm.

"Zallheri është pa ujë," thotë një banor.

Zallherri është një ndër akset ku duhej të ishte investuar për shkak se lëvizja e automjeteve është goxha e lartë si pasojë e Bovillës ku veç shtetasve shqiptarë vizitohet dhe nga turistët e huaj.