21 vjeçari nga Fieri kapet me mbi 43 mijë euro në makinë, dyshohet se i përfitoi nga aktiviteti kriminal në Itali
Një 21 vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi i janë gjetur në makinën e tij 43.620 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale në shtetin italian
Arrestimi dhe sekuestrimi i parave u bë si rezultat i finalizimit të operacionit policor të koduar "Stafeta".
“Është arrestuar në flagrancë 21 vjeçari me inicialet M. P., banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip "Benz" me të cilin udhëtonte, iu gjetën 43.620 euro, për të cilat 21-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre. Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete kriminale në shtetin italian”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
