Përcillet në banesën e fundit 7-vjeçarja, polici akuzohet për vrasje nga pakujdesia
Një ditë pas ngjarjes së rëndë familjarët e të miturës Jonada Avdia kanë hapur dyert e morit.Të trishtuar dhe me lot në sy ata e kanë përcjellë për në banesën e fundit vogëlushen e aksidentuar nga skafi një ditë më parë në Himarë. Nga ana tjeter AMP i ka komunikuar edhe akuzën ish-policit Arjan Tase e ndërsa hetimet po vijojnë për rastin tragjik.
Të pikëlluar dhe zemerthyer. Këto pamje vijnë nga homazhet për 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila humbi jetën një ditë më parë në Himarë.
Asnjë prej familjarëvë nuk ishtë në gjendje të fliste për mediat por jashtë kamerave u shprehën se drejtësia duhet të vihet në vend.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore teksa e kategorizuar ngjarjen si “vrasje nga pakujdesia”, sqaron edhe rrethanat e ngajrjes.
Sipas këtij institucioni thuhet se Tase fillimisht ishte afruar me skaf pranë zonës së mbushur me pushues në kundërshtim me rregullat e lundrimit në det dhe gjatë momentit që ka tentuar të rikthejë skafin në ujë ka bërë disa manovra të rrezikshme, duke goditur me pjesën e pasme të skafit 7-vjeçaren.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se në skafin e komisarit grupi hetimor ka gjetur një pistoletë, e cila ka qenë arma e shërbimit të Arjan Tases.
Të paktën 20 persona janë pyetur nga policia e Vlorës në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Dëshmitarët kanë treguar se Tase ka tentuar të largohet me skaf, por është ndaluar nga pushuesit.
E sipas tyre ai nuk ka shprehur pendesë, por ka kundërshtuar me fjalë familjarët e viktimës.
Vetë Arjan Tase në dëshminë e tij ia ka hedhur fajin defekteve në mjetin lundrues.
Tase ka treguar se kishte ndaluar në Potam për të marrë familjarët e tij në gomone dhe kur i ka dhënë gaz ajo është rrotulluar dhe ka goditur të miturën.
Ngjarja e rëndë në Potam ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët kanë paralajëruar protestë të enjten në orën 19:00 para Ministrisë së Brendshme në Tiranë.
