Një ditë pas tragjedisë në Himarë, policia zbret në bregdet, pronarët e mjeteve lundruese i vënë çelësat e ikin
Një ditë pas tragjedisë policia e shtetit ka ndërmarrë një operacion prej mëngjesit të sotëm, në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.
Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.
Ky operacion drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, i cili ndodhet në Dhërmi, duke monitoruar zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë plan operacional.
Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).
Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar.
"Ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet po iu çojnë njoftime pronarëve të këtyre mjeteve, për t’u paraqitur, duke qenë se operacioni do të vijojë deri në shoqërimin e të gjitha mjeteve lundruese, me qëllim verifikimin e tyre" thuhet në njoftimin e policisë
